Manchester City po avancon në negociatat për transferimin e mesfushorit të Lille, Ayyoub Bouaddi, në një lëvizje që synon të riformojë repartin e mesfushës pas largimit të Rodrit drejt Barcelonës.
Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, kampionët anglezë kanë arritur tashmë një marrëveshje me Bouaddin për kushtet personale. Fillimisht ishte raportuar se mesfushori francez mund t’i bashkohej Cityt në vitin 2027, por planet kanë ndryshuar dhe transferimi mund të realizohet që gjatë kësaj vere.
Tani, Manchester City duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me Lille për shumën e transferimit. Bisedimet mes dy klubeve pritet të intensifikohen në ditët në vijim, ndërsa marrëveshja mund të mbyllet nëse arrihet pajtim për vlerën e kartonit, shkruan 04 Online.
Lille raportohet se kërkon rreth 100 milionë euro për shërbimet e mesfushorit të talentuar. City, ndërkohë, është i gatshëm ta konkretizojë marrëveshjen dhe, sipas raportimeve, pagesa mund të kryhet menjëherë nëse palët arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
Bouaddi shihet si një prej talenteve më premtues të futbollit francez dhe transferimi i tij do të përfaqësonte një investim të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës së Pep Guardiolës.
Pas largimit të Rodrit, Manchester City është në kërkim të një zgjidhjeje të re në mesfushë, ndërsa Bouaddi mund të jetë një nga pjesët kryesore të projektit të ri të klubit anglez./04 Online/















































