Lokalitetet arkeologjike pa staf të mjaftueshëm, merr hov degradimi

0
221

Në fillim të marsit MKRS-ja ka angazhuar 51 punonjës me kontrata për një vit. Ata që kanë dalë në punë për pesë muajt paraprakë nuk e dinë nëse do të kompensohen. Stafi përveç i pamjaftueshëm, është edhe i përkohshëm e arkeologët kanë alarmuar se degradimi i lokaliteteve arkeologjike ka marrë hov. Njëri prej shembujve është Kalaja e Prizrenit. “Ka filluar degradimi me të madhe pasi duhet mirëmbajtje e vazhdueshme. Vegjetacioni nuk është mirëmbajtur dhe situata është thuajse jashtë kontrollit”, ka thënë arkeologu Shafi Gashi

Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, i miratuar në dhjetor të vitit 2020, përcakton 16 punonjës në Kalanë e Prizrenit. Në korrik të vitit të kaluar qe emëruar edhe Njesia menaxhuese për këtë aset të trashëgimisë kulturore, ndër më të rëndësishmit në vend. Por, këto dy dokumente nuk kanë dhënë kurrfarë efekti. Degradimi në Kalanë sipër qytetit jugor veç ka marrë hov.

Sikurse në Kala, ku është edhe muzeu arkeologjik i lokalitetit, për rreth pesë muaj nuk kishte fare punonjës të angazhuar. Arkeologët krejt këtë e kanë përshkruar si alarm.

Në fillim të marsit MKRS-ja ka angazhuar 51 punonjës me kontrata për një vit. Ata që kanë dalë në punë për pesë muajt paraprakë nuk e dinë nëse do të kompensohen.

Midis tyre 10 punonjës janë riangazhuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, një në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, një në atë të Pejës, dy në atë të Prizrenit, 10 punonjës në rezidencën “Dr. Ibrahim Rugova”, 5 në Kalanë e Prizrenit, dy në atë të Novobërdës, dy në lokalitetin e Dresnikut e 7 në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, e pjesa tjetër janë kryesisht rojë në institucionet e kulturës. Të angazhuarit në lokalitetet arkeologjike pos “Ulpianës” janë kryesisht rojtarë. Për mirëmbajtje problem ka edhe “Ulpiana”, që posedon numrin më të madh të të angazhuarve.

Arkeologu Shafi Gashi, i cili ka udhëhequr punimet në Kalanë e Prizrenit, ka thënë se aty janë shpenzuar mbi një milion euro, përfshirë 700 mijë dollarët e Fondit të Ambasasdorit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, me këtë numër të angazhuarish nuk ka aktivitet tjetër pos rojës dhe mirëmbajtjes.

“Kur vijnë vizitorët krejt çfarë u shpjegohet është në baza vullnetare. Sivjet prej janarit e më pas ka pasur shumë vizitorë pasi ishte moti i mirë”, ka thënë ai. Muzeun e Kalasë ku prezantohen gjetjet në këtë lokalitet e ka përshkruar si Muzeun më të mirë arkeologjik në Kosovë.

“Pas planit të menaxhimit nuk është bërë hap tjetër. Më pas Njësiti për menaxhuim. Pra, dy dokumente dhe asgjë tjetër”, ka thënë Gashi. Sipas tij, vazhdimisht kanë kërkuar minimumin e nevojshëm: një menaxher si staf i rregullt dhe tre ciceronë, dy për Muze e një për Kala.

“Ka filluar degradimi me të madhe pasi duhet mirëmbajtje e vazhdueshme. Vegjetacioni nuk është mirëmbajtur dhe situata është thuajse jashtë kontrollit”, ka thënë ai.

Në “Ulpianë” stafi tash nuk është problem. Por, furnizimi me materialet e nevojshme për punë është sfidë më vete. I angazhuari B.Vitija ka thënë se tash e një vit kanë bërë kërkesa për makinë për kositjen e barit.

“Pastaj benzinë që duhet për mirëmbajtje e gaz për ngrohjen primitive në kabinën e rojtarëve zakonisht blejmë vetë”, ka thënë Vitija. Sipas tij, mirëmbajtja e vegjetacionit është sfidë. Të angazhuarit kanë pagë bruto prej 425 eurosh.

Pos listës së punonjësve të angazhuar, KOHA i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës edhe të dhëna nëse janë plotësuar të gjitha nevojat me të angazhuar dhe a duhen edhe të tjerë. Po ashtu KOHA ka pyetur edhe përse MKRS-ja nuk i angazhon ata si staf të përhershëm, por me kontrata të përkohshme. Ndërsa MKRS-ja pos listës nuk ka dhënë informacione të tjera.

Gërmimet arkeologjike janë ndërprerë prej vitit 2019 shkaku i procedurave të financimit. Por, në këtë rast lokalitetet kanë pësuar edhe sa i përket mirëmbajtjes.

Parkut arkeologjik “Ulpiana” i është prerë shiriti në vjeshtën e vitit 2016. Por, kurrë nuk është kompletuar si i tillë.

Qysh para inaugurimit Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte pajisur me leje për sjelljen e energjisë elektrike në lokalitet, por praktikisht puna për të nuk ka nisur ende. Pos kësaj, pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik nuk ka ciceron e as udhëheqës. Kishte mbetur në vullnetin e të angazhuarve që të japin ndonjë shpjegim për vizitorët. Për delegacione kujdeset udhëheqësi i punimeve, arkeologu Milot Berisha. Bashkë me dy rojtarë, llogaritet që Parku duhet të ketë shtatë punonjës të përhershëm. Ajo që, sipas projektit quhet kafe “Ulpiana”, dhe një dyqan ku turistët mund të blejnë botime për lokalitetin e kopje artefaktesh, nuk janë bërë ende. Bile ende nuk është zgjidhur as çështja e pagesës për ta vizituar Parkun.

Gjithçka ngjan me një institucion të braktisur që ka mbetur në vullnetin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, megjithëse “Ulpiana” zyrtarisht është nën menaxhimin e MKRS-së.

Plani i menaxhimit ishte paraparë të përfundonte gjashtë muaj pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik.

Rreth tre hektarë ku shtrihet Parku janë prona private të banorëve të zonës. Vazhdimisht janë vonuar edhe pagesat e kontratave që lidhen në baza vjetore me pronarët. Secila qeveri ka kërkuar të dhëna për shpronësimin e një pjese, por kjo nuk ka ndodhur ende. Vjet aty është punuar vetëm për një muaj. Rreth 700 metra në lindje të asaj që sot është parku arkeologjik “Ulpiana” fshihet një qytet më vete, Justiniana Secunda. Arkeologë vendës, francezë e italianë kanë gërmuar në zemër të vendbanimit. Nuk është dashur të shkohej thellë nën sipërfaqe për të nxjerrë në pah struktura të një bazilike gjigante. Incizimet e deritashme bashkë me gërmimet e bëra janë tregues se hulumtuesit kanë rënë në gjurmë të një prej kishave më të mëdha në Ballkan. Të paktën deri tash nuk janë zbuluar struktura të një objekti kishtar më të madh.

Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë kanë punuar për të zbuluar strukturat e kishës. Kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës kanë gjurmuar për një muaj. Por, shteti ka pak dorë aty. Me një milion euro projekti është financuar nga fondet e IPA të Bashkimit Evropian. Në tre hektarë të Parkut Arkeologjik vizitorët mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë./Koha

Leave a Reply