Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka konsideruar se Qeveria e Kosovës “është në të drejtën e saj” në dialog me Serbinë.
Këtë deklaratë Kurti e dha pas takimit me presidentin e Federatës së Zvicrës, Alain Berset, ku kryeministri ka shkuar për vizitë, shkruan Reporteri.net.
“Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t’i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja”, ka deklaruar Kurti, pas takimit.
Ndërsa sipas komunikatës së Presidencës zvicerane, në takimin mes Bersetit dhe Kurtit, u fol veçanërisht rreth situatës në veri të Kosovës dhe procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Berset ka theksuar mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër në pranverë.
“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, në takim u trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.
Përpos takimit me presidentin Berset, Kryeministri Kurti do të zhvillojë po ashtu një takim me kandidatët shqiptarë për zgjedhjet federale të këtij viti. /Reporteri