Kosova po e shkruan një draft-statut për Asociacionin, Qeveria: Ta shohim a do pranohet për herën e tretë

0
196

Letra e kryediplomates Donika Gërvalla se Kosova po e përgatit draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të këtij muaji, është “ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai shkruan se dy oferta të kryeministrit Albin Kurti për draft-statutin e Asociacionit “janë refuzuar” më herët.

“Premtimi i zëvendëskryeministres Donika Gërvalla-Schwarz në letrën dërguar Byrosë së Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023)”, shkroi Kryeziu në një postim në Facebook.

“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023). Oferta e dytë ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti janë refuzuar. Të shohim a do pranohet për herën e tretë”, shtoi zëdhënësi i Qeverisë.

Kryeziu thotë se tash “varet nga bashkësia ndërkombëtare”, nëse ajo “e pranon tash, një vit pas, një ofertë të tillë”.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një oferte të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”, shkroi Kryeziu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here