Kosova pa institucione të reja, VV e LDK presin ‘‘së shpejti pajtueshmëri’’ për presidentin, PDK e Aleanca vazhdojnë aksionet

0
35

Edhe pse për pak ditë bëhen tre muaj nga zgjedhjet e fundit, Kosova vazhdon të mos ketë institucione të reja. Certifikimi i rezultateve zgjedhore që u mendua se do i hapte rrugë konstituimit të kuvendit, në fakt nuk doli ashtu. Kjo sepse, partia e parë, Vetëvendosja, edhe pse ka numra të mjaftueshëm për formimin e parlamentit e të qeverisë, e pa të rrugës që së pari të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit, pasi që, siç argumentojnë ata, mos arritja e marrëveshjes për kryetarin e shtetit çon sërish në zgjedhje.  

Nga certifikimi deri sot, janë zhvilluar disa takime mes VV’së, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Porse, përveç pajimit për ‘’kritere’’ e ‘’parime’’ s’ka edhe dakordim për emra.

LDK’ja që synonte këtë pozitë me një nga anëtarët e saj, u tërhoq ditë më parë duke marrë qëndrimin për një kandidat konsensual.

VV’ja në anën tjetër e përshëndeti këtë qëndrim të LDK’së, duke u shfaqur optimistë për zgjidhjen e çështjes.

Megjithatë, as në takimin e fundit s’pati marrëveshje, përveç pajtimit që në takimin e radhës të propozohen emra konkret.

Për këtë, deputeti i LDK’së, Ukë Rugova, u shpreh se së ‘’shpejti do kemi një emër konsensual’’.

“Shpejt do të kemi një emër të presidentit konsensual. Si popull kemi mjaft emra të përgatitura”, tha dje Rugova, i cili shtoi se ai s’do jetë kandidat.

Edhe nga VV’ja janë deklaruar gjatë ditës së djeshme për të njëjtën temë. Është deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci, ajo e cila tha se, pret që ‘’sa më parë të arrijmë pajtueshmëri’’ me LDK’në për presidentin.

“Sikurse e dini, ne kemi pasur javën e kaluar një takim me kryetarin e LDK-së dhe përfaqësuesit e LDK-së, një takim që shkoi në një frymë mjaft konstruktive dhe prej të cilit besoj e pres që shumë shpejt të vijmë deri te një pajtueshmëri në lidhje me një president konsensual. Sa i përket partive të tjera, ju e dini që PDK-ja ka deklaruar që nuk do të marrë pjesë në takime, gjithashtu ka pasur një refuzim edhe nga ana e AAK-së. Nuk e vlerësoj që janë qëndrimet e duhura, gjithsesi është zgjedhja e tyre të cilën ne e respektojmë. Por pres që sa më parë të arrijmë pajtueshmëri me LDK-në e edhe të konstituojmë të gjitha institucionet me mandat të plotë edhe të vazhdojë puna”, deklaroi dje Nagavci.

Në anën tjetër, dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës, dhe, Aleanca, tash e sa ditë janë duke zhvilluar aksione para qeverisë së vendit, duke bërë thirrje lideri të VV’së, Albin Kurtit, që të formojë institucionet. Të dy këto parti, kanë deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore brenda afatit 30 ditor, është shkelje e kushtetutës. /GazetaExpress

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here