Kalon mocioni i LDK-së për raportimin e Kurtit lidhur me dialogun

0
126

Me mbi 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës e miratoi kërkesën e liderëve të partive opozitare që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të raportojë në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi, pas takimit të nivelit të lartë që Kurti e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të debatojë me deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kështu bëri të ditur shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ky debat është paraparë të nisë në orën 13:00 dhe të vazhdojë deri në 16:00.

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri mocion për ndryshim të rendit të ditës së seancës për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve.

Abdixhiku, gjatë prezantimit të këtij mocioni, kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Marrëveshja e pa prezantuar në Kuvend, u prezantua po në natën e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Abdixhiku.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është dita e katërt që kur kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian.

Sipas tij, një politikan i ndërgjegjshëm do të kishte shkuar vet në seancë për të raportuar, pa ndonjë mocion.

“Unë nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri se me ardh në Kuvend e me iu drejtu deputetëve e qytetarëve. Po flasim për një marrëveshje preambula e së cilës heq dorë nga njohja e ndërsjellë, neni 10 specifikon se pa njohje të ndërsjellë pranon asociacionin. Nga ajo që kemi parë është që ajo marrëveshje nuk mund të fuqizohet pa u ratifikuar në Kuvend. Ka shumëçka se çka thuhet në këtë marrëveshje. Ne e mbështesim kërkesën për debat”, ka thënë ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se vendi është në një terr informativ sa i përket dialogut.

Kjo sipas tij për shkak të mostransparencës së qeverisë.

Tahiri ka thënë se AAK e mbështet kërkesën e LDK-së, që kryeministri Albin Kurti të raportojë sot në kuvend për propozimin evropian.

“Qëndrimi i AAK-së është publik. Ne e mbështesim këtë marrëveshje por kjo nuk iu vendos juve në një situatë ku kemi dilema të cilat duhet të qartësohen në Kuvend. Jemi në terr informativ për dialog. Kjo nuk është luftë ndërpartiake. Ne jemi ata që përfaqësojmë popullin. Kjo qasje tregon shumë për këtë kuvend. E mbështes kërkesën e Abdixhikut. I kemi 2 forma, ose vazhdojmë me debatin ose nisim një debat të ri. E di që shumë prej jush që nuk pajtohemi edhe me qëndrimin tonë që e kemi pasur. Por është koha që të marrim një vendim e mos të humbim si vend”, tha ai.

Ndërsa, kërkesën e opozitës dhe komentet e tyre për propozimin evropian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë…”, tha Kusari- Lila.

Kuvendi i Kosovës në rendin e ditës të enjten ka paraparë edhe një debat në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, por debati nuk është në fillim të këtij rendi./GS

Leave a Reply