Juventusi nuk dorëzohet në betejën me Ronaldon, çështja rikthehet në Gjykatë

0
2

Juventusi nuk e ka mbyllur betejën ligjore me Cristiano Ronaldon.

Sipas Tuttomercatoweb, duke iu referuar raportimit të Calcio e Finanza, klubi bardhezi i është drejtuar Gjykatës së Kasacionit në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Torinos, e cila më 13 janar 2026 kishte rrëzuar ankesën e Juventusit kundër vendimit të arbitrazhit në favor të sulmuesit portugez, përcjell “Gazeta Express”.

Ankesa e re është dorëzuar më 27 mars 2026, ndërsa tashmë pritet caktimi i datës së seancës gjyqësore.

Gjithçka nisi nga pagat gjatë pandemisë

Çështja lidhet me marrëveshjet për pagat gjatë periudhës së COVID-19, kur Ronaldo ishte pjesë e Juventusit.

Portugezi kërkonte rreth 19.6 milionë euro, por në prill të vitit 2024 trupi i arbitrazhit vendosi që klubi t’ia paguante gjysmën e kësaj shume, përkatësisht 9.8 milionë euro, plus interesat dhe rivlerësimin monetar.

Vendimi u bazua në përgjegjësinë parakontraktore të Juventusit, për shkak se negociatat mes palëve nuk përfunduan me një marrëveshje përfundimtare.

Juventusi e pagoi shumën gjatë vitit financiar 2023/24, por më pas vendosi ta kundërshtonte vendimin e arbitrazhit në gjykatë.

Më 13 janar 2026, Gjykata e Torinos e rrëzoi kërkesën e klubit, duke lënë në fuqi vendimin që i lejon Ronaldos t’i mbajë paratë.

Një tjetër kapitull ligjor

Me ankesën në Gjykatën e Kasacionit, Juventusi po kërkon që çështja të shqyrtohet nga këndvështrimi juridik dhe i pretendimeve për parregullsi ligjore.

Kjo nuk nënkupton se vendimi në favor të Ronaldos është rrëzuar: për momentin, ai mbetet në fuqi.

Nga ana financiare, sipas raportimit, Juventusi nuk pret pasoja të reja negative në bilanc, pasi shuma prej 9.8 milionë eurosh është paguar dhe kontabilizuar më herët.

Kështu, përplasja mes Juventusit dhe ish-yllit të tij vazhdon në gjykatë, edhe pse Ronaldo tashmë prej vitesh nuk është pjesë e klubit torinez. /Gazeta Express