Ekipi i vajzave “Junior-06 Moni Bau” ka fituar bindshëm Kupën e Kosovës për grupmoshën U-16, duke mposhtur Pejën me rezultat të thellë 105:37 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, shkruan 04 Online.
Vajzat e ‘Junior 06 Moni Bau’ kanë qenë të paprekshme ndër vite, duke dominuar çdo kundërshtar në të gjitha garat e grupmoshave. Kjo gjeneratë po hyn në vitin e katërt pa përjetuar asnjë humbje – një rekord i jashtëzakonshëm në basketbollin kosovar.
Trofeun e Kupës e dorëzoi anëtari i Bordit të FBK-së, Moni Perteshi, kapitenes Albule Dakaj, ndërsa titulli i MVP-së i takoi Suden Salla, e cila shkëlqeu gjatë gjithë ndeshjes.
“Junior06 Moni Bau” vazhdon të jetë sinonim i suksesit në basketbollin e të rejave në Kosovë./04 Online