Ish-selektori i Maqedonisë së Veriut merr drejtimin e Lirisë së Prizrenit

0
461

Skuadra e Lirisë së Prizrenit i ka dhënë fund dilemave për trajnerin e ri pas largimit të turkut Nedim Yigit. Në krye të ekipit të Superligës së Kosovës në futboll, do të jetë ish-selektori i Maqedonisë së Veriut, Mirsad Jonuz.

Marrëveshja mes palëve është arritur dhe Jonuz ka firmosur kontratë deri në fund të edicionit, ku misioni i tij do të jetë mbijetesa.

Jonuz është njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Liria këtë edicion është rikthyer në elitën e futbollit kosovar dhe zë vendin e fundit në tabelë me tetë pikë të mbledhura pas 15 xhirove të zhvilluara.

Jonuz ka punuar në shumë skuadra, sidomos në Maqedoninë e Veriut, ku ka drejtuar Rabotniçkin e Podebën. Ka punuar edhe në Qipro e Greqi, te skuadrat Nea Salamis Famagusta e Aiginiakos. Ka qenë edhe trajner i Vllaznisë së Shkodrës, ndërsa së fundmi, ka qenë në Katar te skuadra e Lusailit.

Jonuz prej vitit 2009 deri në vitin 2011 ka qenë selektor i Maqedonisë së Veriut, ndërsa më herët ka drejtuar edhe ekipin U21 për gjashtë vjet./Koha

Leave a Reply