Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj njëherit edhe deputet i Kuvendit të Kosovës ka theksuar se sa herë që ai del në foltore për të folur, pengohet nga qeveria.
Deputeti Haradinaj ka akuzuar qeverinë se është penguar me fjalor jo aq njerëzor gjatë fjalës së tij në kuvend.
“Sa herë që flas prej kësaj foltore, nga mbrapa pengohet në mënyra të ndryshme me fjalor jo aq njerëzor. Nuk e dëgjon publiku, por kush flet e dëgjon, nëse kjo praktikë vazhdon duhet me ua kthyer edhe unë në atë mënyrë që e marr. S’ka rrugë tjetër se nuk të len me fol”.
Po ashtu, kryetari i AAK-së iu është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me disa fjalë lidhur me grevën dhe mësimdhënësit, duke i thënë se “ta tregojnë qejfin kur vjen vakti”, ku sipas tij kryeministri po i urren këta të fundit.
Ai tha se ky good guy është i keqtrajtuar, i rrejtur si dhe është rritur duke urrejt, prej që është bërë regjim, u kthye duke urrejt ata që e kanë pru këtu ku është.
“Ky Good guy i yni këtu, është i keqtrajtuar, i rrejtur dhe u rrit duke urrejt, prej që është bërë regjim, u kthye duke urrejt ata që e kanë pru këtu ku është. I ka urrejt regjimet, prej që është bërë regjim vet, s’po ka kon me urrejt më ja ka nis me i urrejt ata që e kanë pru këtu, armiqtë e brendshëm.
Kush janë armiqtë e brendshëm, sindikatat, mësuesit me i urrejt, me i mujt. Ta tregojnë qejfin kur vjen vakti”, tha Haradinaj.