Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Zgjodhi Borrellin e Lajçakun në vend të SHBA-së, zhvillimet shkuan në rrugë të gabuar

0
132

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij në seancën e sotme plenare ka folur për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Sinjali.

Haradinaj ka dënuar sulmin ndaj terroristëve serbë në Banjskë, derisa ka kërkuar që në rezolutën e propozuar të përfshihet edhe bashkësia ndërkombëtare, që sipas tij, do të hetonin terroristët.

“Ajo që ndodhi të dielën ishte sulm terrorist nga një formacion terrorist i sponsorizuar prej Serbisë, ishte mëse e qartë. Por ky sulm e mori përgjigjen më të mirë që kishte mundur ta merrte. Policia e Kosovës i mposhti. U vërtetuan se asnjëherë askush s’do të mundet me rreziku Kosovën. Një rezolutë që dënon sulmin është e drejtë. Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për hetim ndërkombëtar. Do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare të ndëshkoj terroristët”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së përmend thirrjen e tij që marrëveshja me Serbinë të arrihet përmes SHBA-së, por sipas tij, Kurti e zgjodhi Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun.

Haradinaj ka thënë se dy vjet më parë iu kishte dërguar letër krerëve të shtetit që të zgjidhnin SHBA-në për marrëveshjen me Serbinë, por thotë se kryeministri Albin Kurti kishte bërë të kundërtën duke zgjedhur Borellin dhe Lajcakun.

Ai ka thënë se nëse do të zgjidhej Amerika dy vjet më herët, Kosova do të kishte marrëveshjen për njohje me Serbinë dhe se do të ishte në proces të anëtarësimit në NATO, ku ushtria e Kosovës do të kontrollonte vijën kufitare bashkë me ushtrinë e KFOR-it.

Ndërkohë Haradinaj ka thënë se Kurti tashmë po i fajëson Borellin dhe Lajcakun të cilët i kishte zgjedhur vetë para dy vjetëve. Kreu i AAK-së ka thënë se mashtrimi s’kalon dhe ka drejtuar gishtin kah kryeministri Albin Kurti, duke thënë se gjërat kanë shkuar në rrugë të gabuar për faj të kryeministrit.

“Iu kam dërguar letër dy vjet më parë, ku iu kam thënë se duhet ta kërkoni Washingtonin për marrëveshje. Por Kurti e bëri të kundërtën, e zgjodhi Borellin dhe Lajcakun. Pse e zgjodhi Kurti para dy vjete Borellin dhe Lajcakun e jo Washingtonin para dy vjetëve, a duhet shtruar kjo pyetje. Nëse do të zgjidhej Washingtoni dy vjet më herët do ta kishim marrëveshjen për njohje me Serbinë. Nëse do të pranohej plani amerikan për tabelat për veri do ta kishim veriun e integruar dhe s’do të kishim përballje me terroristët. Do ta kishim PfP-në të nënshkruar dhe Kosovën në proces të anëtarësimit në NATO. Do ta patrullonin vijën kufitari ushtria jonë në bashkëpunim me KFOR-in dhe s’do të mund të kalonin terroristët kufirin. Do të ishim në CoE dhe në proces për anëtarë në OKB. Pyetni pak veten a do të kish ndodh kështu, nëse do të ishte vepruar me kohë. Kurti po fajëson Borellin dhe Lajcakun që vetë i ka zgjedhur. Ju lutem, mashtrimi s’kalon. Nuk kalon mashtrimi. Zhvillimet kanë shkuar në rrugën e gabuar për fajin e këtij njeri”, ka thënë Haradinaj.

“Ne e dimë kush është Serbia, kush janë kriminel kush janë terroristët. Ata kanë vra fëmijët e tyre në Pejë në Panda me e fajësu UÇK-në. Do t’i lexojmë drejt edhe veprime e secilit prej nesh dhe s’do t’ia falim askujt”, tha ai.

Leave a Reply