Frikë nga jeta?

0
32

Horas Kaleni, filozof amerikan, njëherë pati thënë:

“Ekzistojnë njerëz që e ndryshojnë jetën e vet ngase i frikësohen vdekjes dhe njerëz që atë e bëjnë ngase i gëzohen jetës. Grupi i parë jeton duke vdekur, përderisa grupi i dytë vdes duke jetuar. Pa marrë parasysh se kur vdes, kam ndërmend të vdes duke jetuar!”

Pra, cili është kuptimi i të jetuarit?

Unë nuk mendoj se kuptimi i të jetuarit është të shkruash libra të rëndësishëm apo të grumbullosh pasuri të madhe, të ekspozosh fuqinë dhe ndikimin tënd. Mendoj se shumë njerëz nuk e njohin artin e të jetuarit, e cila megjithatë është ART. Shumë, për fat të keq, vetëm vegjetojnë.

Këtë më së miri e ilustron thënia nga shkrimet e Daut Demakut:

“Njeriu nuk rron dy herë, por ka shumë nga ata që nuk dinë të jetojnë as një herë…”

Kuptimi i jetës është në thënien:

“Duaj dhe bëhu i dashur.”

Duaje edhe ushqimin, kënaqu me të. Duaji rrezet e diellit dhe hënën. Nuk ka kënaqësi në një jetë të nxituar, në vrapimin e përditshëm drejt zyrës apo obligimeve. Shikoje perëndimin e diellit, mënyrën e veçantë të komunikimit me njerëzit. Kuptoje krijesën tjetër njerëzore, ëndërro me të, jeto dhe kënaqu emocionalisht, fizikisht, me mendime dhe me shpirt.

Çdo dashuri e re, çdo miqësi, çdo fshehtësi e mësuar na pasuron. Na bën krijesa më të vlefshme se që kemi qenë më parë.

Jetën duhet shikuar si një proces të mbledhjes së pasurisë së përjetshme. Nuk duhet rezistuar jetës, dashurisë dhe miqësisë. Çdo çast kur mund t’i ofrosh dikujt dashuri apo kënaqësi është pasuri.

Vetë jeta është si një roman i mirë; sa më tepër thellohesh në të, aq më shumë kuptim merr. Me kalimin e kohës plotësohet karakteri i njeriut dhe ngjarjet e kaluara e marrin kuptimin që në atë moment mund të ketë munguar.

Me kalimin e kohës gjithçka qartësohet.

Nëse sot nuk e ke të qartë pse duhet të investosh në dashuri dhe miqësi, nëse sot nuk e gjen PSE-në e madhe të jetës sate, PSE-ja ka për të gjetur nesër ty.

Jeta, megjithatë, ka kuptim, nëse ai kuptim të mbush me gëzim dhe hare, të cilën me zemërgjerësi ua ofron të tjerëve.

Fisnikëria është virtyt i madh.

Mos iu frikësoni jetës. Mos kërkoni këshillë nga frika juaj. Nuk është dështim nëse je rrëzuar; dështim është nëse rrëzohesh dhe nuk ngrihesh më.

Dështimi më i madh në jetë është vetë frika nga dështimi.

Frika nga jeta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here