Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka falenderuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për mundësinë e dhënë për të drejtuar kuqezinjtë, duke theksuar se e konsideron një përgjegjësi të madhe dhe një privilegj.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për ish-trajnerin Sylvinho, për fjalët dhe kontributin e tij gjatë këtyre viteve në drejtimin e Kombëtares, duke theksuar se e ka ndjekur nga afër ecurinë e ekipit dhe se i jep komplimentet e tij për punën e bërë.
“Falenderoj presidentin Duka që më jep mundësinë të trajnoj një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Të jesh afër Shqipërisë dhe tifozëve të saj është diçka që e kam perceptuar gjithmonë si një lidhje të fortë me krenarinë dhe pasionin e tyre.
Premtimi im është të transferojmë këtë dashuri për fanellën në fushë, duke dhënë maksimumin nga unë dhe nga stafi që do të punojë me mua. Do të jetë një angazhim moral dhe profesional i madh.
Ky është një mision që e ndjej fort nga brenda dhe dua që në fushë të reflektohet ajo që përfaqësoni ju, tifozët dhe i gjithë kombi.”
Këto ishin fjalët e para të trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, gjatë konferencës për shtyp, ku ishte i pranishëm së bashku me presidentin Armand Duka dhe ish-trajnerin Sylvinho.














































