“Faza e tretë e tranzicionit”, Maqedonci thotë se SHBA do të mbështesë Kosovën për ndërtimin e kapaciteteve për mbrojtjen ajrore

0
29

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar në parim një nismë për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje shtesë për këtë nismë ku tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake.

Ai përmendi edhe fazën e tretë të tranzicionit  – faza e fundit e transformimit të FSK-së që nis nga viti 2025 dhe parashihet të përfundojë më 2028 – për të cilën tha se janë duke punuar dhe se ndihma e SHBA-së do të ndihmojë për ndërtimin e këtij tranzicioni.

“SHBA do të mbështesin Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake, duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore, kapacitetet ajrore dhe fushat tjera për të cilat ne jemi duke punuar për t’i ndërtuar në fazën e tretë të tranzicionit. SHBA do të sjellë ekipin që do të bëjë vlerësimin, por dhe do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes në prokurimin e sistemit të armatimit të nivelit strategjik siç janë mbrojtja ajrore, por edhe mbështetja ajrore”.

Maqedonci tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në NATO.

“Kjo marrëveshje parasheh edhe bashkëpunimin me qëllim angazhimin regjional dhe angazhimin ndërkombëtar, më saktësisht ne bashkë me SHBA-në do të ndërtojmë planet dhe do të kemi mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në NATO, pra SHBA është zotuar që do të mbështesin në aspektin teknik, procedural dhe në aspektet tjera Republikën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, por gjithashtu edhe në iniciativat regjionale”./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here