Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut Gjerman, Michael Roth, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për valutën që do të përdoret në Kosovë.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se vetëm monedha kombëtare e njohur është e vlefshme në territorin e Gjermanisë, e që është euro.
“Disa i rrahën ushtarët e NATO-s deri në shtrimin në spital, të tjerë e bëjnë të qartë se vetëm monedha kombëtare e njohur është e vlefshme në territorin e tyre. Mund të shqetësojë disa njerëz, por edhe në Gjermani ne paguajmë vetëm në euro, jo dollarë apo paund”, ka shkruar Roth.
Deputeti gjerman kështu i ka reaguar Ambasadës së Serbisë në Republikën Federale të Gjermanisë.
Kjo e fundit kishte shkruar në ‘X’ se Kosova ka ndërmarr hapin të rrezikshëm përshkallëzues duke ndaluar përdorimin e dinarëve serbë, duke krijuar një krizë tjetër dhe duke ua bërë jetën serbëve të Kosovës të padurueshme.
Kujtojmë se më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qëndrore të Kosovës, ku sipas këtij vendimi ndalohet dinari.
Pas këtij vendimi Komisioni Evropian u është bashkuar zërave kritikë ndaj Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se blloku nuk po e kritikon vendimin, por mënyrën se si u mor ai.
“Nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me euron, por me mënyrën se si ky vendim është miratuar dhe rrezikun që ai sjell”, tha Stano.
Ndersa, zëdhënësi kryesor i KE-së, Eric Mamer, gjatë një konference për media në Bruksel më 2 shkurt, tha se ky institucion shpreh keqardhjen për këtë vendim dhe iu bashkohet thirrjeve të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marr parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, tha Mamer. /Reporteri