Çështja Kvara, Drejtori Sportiv i Napolit fluturon drejt Gjermanisë për sqarime

0
288

Çështja Kvaratskhelia ka shpërthyer te Napoli dhe ka trazuar jo pak ambientin, teksa ndonëse sulmuesi është në Gjermani për të luajtur Europianin, ka qenë agjenti i tij ai që ka deklaruar se gjeorgjiani dëshiron të largohet për të luajtur në Champions League.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Napolit, që kujtoi se Kvara ka kontratë me klubin deri në verën e 2026-ës dhe se nuk mund të vendosë i vetëm të ardhmen e tij.

De Laurentiis i ka ofruar disa herë rinovimin sulmuesit, që iu bashkua Napolit verën e 2022-shit dhe firmosi kontratë 4-vjeçare me pagë prej 1.3 milionë eurosh në sezon dhe po aq merr edhe aktualisht, pasi ka refuzuar rinovimin.

Natyrisht te Napoli e kanë kuptuar dëshirën e sulmuesit për t’u larguar, por nuk kanë miratuar daljen hapur të agjentit, pasi kjo mund të ndikojë në çmimin e kartonit të tij këtë verë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna ka fluturuar drejt Gjermanisë, ku pritet të takohet me Kvaratskhelian pas përfundimit të takimit mes Gjeorgjisë dhe Turqisë.

Drejtori sportiv napolitan do të kërkojë sqarime nga sulmuesi rreth deklaratave të agjentit të tij dhe pse jo, edhe një përgënjeshtrim të tyre, në mënyrë që palët të ulen në tryezë dhe të vendosin të ardhmen pas përfundimit të Europianit./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here