Çdo gjë gati për Lojërat Paralimpike, debuton Kosova

0
113

Lojërat mund të fillojnë përsëri.

Lojërat paralimpike “Parisi 2024” hapen të mërkurën në kryeqendrën e Francës. Rreth 4400 sportistë me aftësi të kufizuara, lëndime të përhershme apo dëmtime përgatiten që të garojnë për 549 medalje në 22 sporte të ndryshme. Lojërat Paralimpike do të zhvillohen për 11 ditë, ndërsa spektakli sportiv nuk pritet të mungojë.

Kryeqyteti i Francës, që organizoi shkëlqyeshëm Olimpiadën, tani ofron skenën për tjetër spektakël sportiv. Shumica e ngjarjeve paralimpike zhvillohen në arenat e njëjta. 

Sheshi historik “Place de la Concorde”, ku u zhvilluan garat në tri sporte në Lojërat Olimpike, do të jetë vendi i ceremonisë hapëse të Lojërave Paralimpike. 

“Jemi në zemër të qytetit”, thotë presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parson. “Simbolika pas kësaj është që qyteti i Parisit po u jep sportistëve tanë një përqafim të madh”.

Në shumë arena ku u zhvilluan garat olimpike tani zhvillohen garat paralimpike. Kalërimi, për shembull, kthehet në “Chateau de Versailles”. 

Arena fare pranë Kullës së Eiffeilit, ku u zhvilluan garat e volejbollit në rërë, është përshtatur për futbollin për të verbër. Është një sport për parasportistët me shikim të dëmtuar. Luajnë nga pesë lojtarë në ekip, me një top që përmban zile.

“Parisi është qyteti më i bukur në botë. Mendoj se do të kemi Lojëra Paralimpike të jashtëzakonshme”, ka thënë francezi Alexi Hanquinquant, që garon në paratriatlon.

Prej 22 sporteve paralimpike vetëm goalballi dhe “boça” nuk janë në programin e Lojërave Olimpike. 
Krahasuar me Lojërat Paralimpike të mbajtura në Tokio tri vjet më parë, në Paris janë shtuar 10 gara për medalje. Kjo është bërë për t’u ofruar më shumë mundësi paralimpisteve dhe atyre që kanë nevojë për përkrahje të madhe.

Parson tha se rreth dy milionë bileta, prej 2,5 milionë sa dolën në shitje, janë shitur tashmë. Nëse mbetet kjo shifër, do të ishte e dyta më e larta për Lojërat Paralimpike, pas “Londra 2012”.

Flaka paralimpike u ndez të shtunën në Stoke Madneville, fshatin në veriperëndim të Londrës, që konsiderohet si vendlindja e Lojërave Paralimpike. Kaloi kanalin anglez dhe në formë stafete edhe gjithë Francën para se të ndezë kazanin gjatë ceremonisë hapëse, të mërkurën. 

Lojërat mbahen kur parisienët po kthehen nga pushimet verore. Qyteti dukej disi i zbrazët në fillim të muajit kur shumë prej banorëve të Parisit ishin për pushime në bregdet. Për vendasit që nuk ishin dëshmitarë të ngjarjes olimpike, Paralimpiada është shans i dytë për të përjetuar emocionet.

Paralimpistët do të jenë në qendër të vëmendjes nga e enjtja, kur nisin garat. Medaljet e para do të ndahen në taekwondo, pingpong, not dhe çiklizëm në pistë.

Njëjtë si në Olimpiadë, medalje do të fitohen gjatë 11 ditëve të garave. Shumë parasportistë udhëtuan drejt Parisit për të mbrojtur titujt. 

Ka shumë rrëfime inspiruese të parasportistëve. Shumë të tjerë pritet të bëhen të njohur gjatë dy javëve të ardhshme.

Në Paris, debutimin në Lojërat Paralimpike do ta bëjnë tri vende. Njëra prej tyre është Kosova, që do të prezantohet me vrapuesin Grevist Bytyqi. Ai do të garojë në 1500 metra.

Kosova tashmë ka tri paraqitje në Lojërat Olimpike Verore. Por në Rio 2016 dhe në Tokio 2020, sportistët kosovarë munguan në Lojërat Paralimpike. Bytyqi do ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave të Parisit. Nëse potencialisht përfshihet në garë për medalje do të ishte sukses shumë i madh./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here