Bukëpjekësi prizrenas trondit Kroacinë me çmimet e picave që shkojnë deri në 65 euro

0
452

Në këtë kohë krize globale ekonomike, temë e pashmangshme është rritja e çmimeve të produkteve.

Por një rast në Kroaci, ka “tronditur” vërtetë opinionin.

Një bukëpjekës nga Prizreni, po i shet picat e tij në furrën që mban në ishullin kroat Hvar, me çmim deri në 480 kuna apo 64 euro.

Dhe pronari Tomë Lekaj, thotë se nuk ka problem me shitjet e as me shumicën e turistëve.

Gazeta “Slobodna Dalmacija” ka realizuar një intervistë me të dhe në mënyrë ironike e ka pyetur “se me çfarë i bën ato pica”, apo edhe “a është kjo plaçkitje”.

Picat e tij sillen nga 320 kuna më e lira (42.5 euro) deri në 480 kuna (64 euro)

“Nuk është sekret. Ky është çmimi i vjetër, kështu që të gjithë e dinë këtë. Në çmimore shkruan shumë qartë. Shihni, pica jumbo margarita kushton 320 kuna, peperoni jumbo – 400 dhe keni edhe këtë, jumbo hvarmix, që ju kushton 480 kuna. Asaj i vihen shumë produkte përmbi. Picë e mrekullueshme”, ka thënë Lekaj.

I pyetur se si mund të kushtojë një picë kaq shtrenjtë, ai tha se kjo është çështje e biznesit dhe e ekonomisë së lirë të tregut.

“Është e mundur, ky është plani i biznesit që kemi. Ky është modeli ynë i biznesit. Është një furrë tjetër 100 metra larg meje dhe një picë kushton 30 kuna. Ajo pjesë, ju e dini, quhet prerje pice. Dhe njëqind metra edhe më larg, është një lokal tjetër me çmim edhe më të ulët – 15 apo 20 kuna. Çdo person mund të zgjedhë çfarë dëshiron”, u shpreh Lekaj.

Ai punon me familje në Kroaci prej 25 vjetësh. Vjen nga Prizreni dhe thotë se e ka trashëgim nga gjyshi punën e furrtarit.

Ditëve të fundit në mediat kroate dhe më gjerë është folur shumë për furrën e kosovarit. Në rrjete sociale shumë prej komenteve, fjalë kyç kishin “turp”, “plaçkitje” e të ngjashme. Por Lekaj nuk pajtohet me këtë.

“Nuk është grabitje. Ju zgjidhni dhe keni çmime të ndryshme. Ne i kishim çmimet më të shtrenjta që në fillim. Nëse një picë ishte 30 kuna, tek unë ishte dyfishi, ndonjëherë 200 për qind më shtrenjtë”, tha ai.

Tregoi se në disa raste, disa kroate e “kanë kërcënuar me raportim në polici” kur e kanë kuptuar shumën e faturës.

“Po çfarë lidhje ka policia këtu”, shtoi ai.

Ishulli Hvar është një prej destinacioneve më luksoze në Kroaci. /Koha.net/

Image

Leave a Reply