Mesfushori spanjoll Dani Ceballos pritet të largohet nga Real Madrid CF gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas raportimeve të fundit, 28-vjeçari është i gatshëm të mbyllë aventurën e tij me “Los Blancos”, teksa kërkon më shumë hapësira dhe një rol më të rëndësishëm në një skuadër tjetër.
Interesim konkret për shërbimet e tij ka shfaqur Real Betis, klubi ku Ceballos u formua si futbollist dhe ku shpërtheu para transferimit te Real Madridi.
Burimet bëjnë të ditur se kontaktet e para mes palëve kanë nisur tashmë, me Betisin që po shqyrton mundësinë e rikthimit të mesfushorit në “Benito Villamarín”.
Ceballos ka pasur minuta të kufizuara te Real Madridi në sezonet e fundit për shkak të konkurrencës së fortë në mesfushë, ndaj një largim gjatë verës shihet si një opsion i mundshëm për të dyja palët.
Megjithëse ende nuk ka negociata të avancuara apo marrëveshje konkrete, interesimi i Betisit është real dhe rikthimi i Dani Ceballosit në klubin andaluzian mund të jetë një nga historitë më interesante të merkatos së verës.














































