Gjatë mbrëmjes së djeshme, Vanesa Sono ka qenë e ftuar në emisionin “Uëtëfë Show”, ku ka vendosur të flasë hapur rreth dinamikave të saj me Indrin pas përfundimit të rrugëtimit në “Ferma VIP”. Edhe pse gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej, ish-fermerja tregoi se e mirëkupton zgjedhjen e tij, ndonëse motivet e vërteta pas këtij vendimi mbeten të paqarta për të.
Për situatën, Vanesa u shpreh kështu:
“Vendimin që ai ka marrë unë e respektoj. Arsyet i di ai. Nuk është e bukur normalisht, është diçka që askush s’do ndihej mirë, por është vendimi i tij dhe është në rregull (për mua). Indrin unë e besoj që ka pasur pëlqim, siç e kam thënë edhe brenda. Besoj se ka pasur edhe probleme, që s’mundem as unë, asnjë njeri t’i kuptojë përderisa nuk e di historinë e tij. Por unë jam një njeri që jepem 100%.”
Ndryshe nga shumë personazhe që përpiqen të fshehin ndjenjat pas një refuzimi apo ndarjeje, Vanesa nuk ngurroi ta pranonte publikisht se ka qenë thellësisht e investuar në atë raport:
“Po, isha e dhënë. Nuk e kam fare kompleks ta pranoj këtë!”
Një nga momentet më të diskutuara ka qenë edhe letra e famshme e Indrit. Vanesa zbuloi se momenti i përballjes me letrën nuk e kapi në befasi. Gjatë intervistës, ajo gjithashtu zbuloi një prapaskenë lidhur me ftesën e bërë nga produksioni, e cila në fakt kishte pasur një qëllim tjetër:
“Unë e dija përmbajtjen e letrës, ndaj nuk më erdhi si shok. Nuk më pëlqeu normalisht. Ishin gjëra të thëna në atë letër që nuk e di sa prej tyre ishin me vend. Ajo që kam thënë në statusin tim, unë e kam thënë përciptas, por po e sqaroj. Unë jam thirrur ditën e enjte për të qenë pjesë e programit ditën e premte, por jo për Indrin. Jam thirrur për të pasur një ballafaqim me dy vajza, por unë e kam refuzuar;”
Sa i përket mendimit të saj për Indrin në ditët e sotme, Vanesa la të kuptohet se mbyllja e formatit e ka bërë të shohë një anë krejt tjetër të tij, duke deklaruar prerë:
“Kam parë një Indri atje brenda me mua dhe shoh një tjetër person tani që kam dalë jashtë.”
Në fund, e pyetur rreth zërave dhe thashethemeve në rrjet se Indri mund të ketë pasur një lidhje jashtë mureve të fermës, ajo zgjodhi të ruante diplomacinë. Vanesa theksoi se kjo është një çështje që ata nuk e kanë diskutuar bashkë dhe se ajo vetë nuk preferon të ushqejë aludime të tilla.
/Prive By Liberta Spahiu














































