Bllokohet puna në anekset e QMF-ve në Prizren, ju mungon leja e ndërtimit

0
430

Komuna e Prizrenit javë më parë kishte filluar punimet për ndërtimin e katër anekseve në katër Qendra të Mjekësisë Familjare. Kjo ishte bërë pa leje ndërtimore. Bëhet fjalë për ndërtimin e anekseve në QMF’të në lagjen Dardania, në fshatin Zhur, në Reqan dhe në Gjonaj. Nga komuna kanë thënë se punimet aktualisht janë ndërprerë deri në pajisjen me lejet.

Se ndërtimi i këtyre anekseve ka filluar pa u pajisur me leje ndërtimore e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e PrizrenitBurbuqe Berisha. Sipas saj, as objektet bazike (QMF’të) nuk kanë leje ndërtimore.

Ne si DKSH kemi bërë kërkesë për kushte ndërtimore në DUPH lidhur me ndërtimin e këtyre anekseve. Mirëpo pasiqë objektet bazike, pra QMF-të në të cilat janë planifikuar që të ndërtohen këto anekse, nuk kanë qenë të paisura me leje ndërtimore, prandaj edhe paisja e anekseve me leje nuk ka qenë e mundur“, tha Berisha për Gazetën Insajderi.

Drejtoresha e Shëndetësisë tha se kanë filluar procedurat për legalizimin e objekteve të QMF-ve që më pas të marrin lejet për këto anekse.

Kemi marrë njoftim nga DUPH për plotësim dokumentacioni për këto kërkesa dhe të njëjtëve u kemi kërkuar afat shtesë për plotësim, duke u bazuar tashmë në plotësim-ndryshimin e ligjit të legalizimit të objekteve pa leje, pasiqë tani është zgjatur afati për legalizim të tyre, ne kemi filluar procedurat që fillimisht të bëjmë legalizimin e objekteve të QMF-ve e më pas të marrim lejet për këto anekse“, u shpreh drejtoresha Berisha.

Ajo tha se punimet janë pezulluar deri në marrjen e lejeve.

Momentalisht, janë pezulluar punimet për këto projekte deri në përfundim të procedurave të marrjes së lejes“, ka thënë Berisha.

Me 2 gusht të 2023, Komuna e Prizrenit kishte nënshkruar kontratë me grupin e operatorëve ekonomik “AAB Construction sh.p.k; Arhiko. ING O.P“, për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur.

Vlera e kësaj kontrate ishte 43 mijë e 916 euro. Sipas njoftimit të publikuar nga komuna, ky ishte tenderi me çmimin më të ulët.

Në 26 korrik të 2023, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania me vlerë prej 39 mijë e 201 euro e 50 cent.

Kompania që fitoi tenderin ishte “Bajram HA.Gashi B.I“.

Ndërsa, për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Reqan u nënshkrua kontrata me vlerë prej 42 mijë e 175 euro e 50 cent.

Edhe për këtë objekt u kontaktua kompania “Bajram HA Gashi B.I“.

Komuna e Prizrenit dy javë më parë ka publikuar fotografi në faqen zyrtare në Facebook nga punimet në ndërtimin e aneksit në QMF’në në Reqan./Insajderi

Leave a Reply