Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, tha se si një person që ka marrë pjesë në procese të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova po i jep këshilla bamirëse kryeministrit Albin Kurti.
“I jap një këshillë miqësore, profesionale edhe jam i gatshëm ta ndihmoj në këtë proces që ai të tregojë lidership dhe të veprojë si lider i vërtetë. Por, gjithsesi do ta përkrahi që të mos lejojë asnjë krijesë asnjë Asociacion, i cili bie ndesh me Kushtetutën, dhe të kërkojë prej të gjitha institucioneve të Kosovës që i ka në dispozicion të parandalojë një monstrum të tillë kushtetues që mund të shkaktojë problem, por duhet të veprojë me mjetet e shtetit ligjor”, tha Bajrami në RTV 21.
Ai i bëri thirrje qeverisë që ta dërgojë në kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, në mënyrë që siç tha ai ta hedhë topin te Serbia.
“Bëhu pak pragmatik në pikëpamje diplomatike. Ti je nën sanksione, Serbia nuk është nën sanksione. Ti trego pak pragmatizëm që gjuaje fajësinë për sabotimin e Asociacionit te Serbia, e cila nuk është e interesuar për të… Ajo është e interesuar ta mbajë Kosovën nën tension nën kërcënim ushtarak dhe policor, në gjendje të statusit juridik të ngirë dhe të blejë kohën mos po ndërron konstalacioni gjeopolitik, pasi që Serbia i ka humbur betejat me Kosovën”, tha ai.
Bajrami është shprehur i bindur se bashkësia ndërkombëtare nuk do të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese sa i përket vendimit për Asociacionin.
“Gjykata Kushtetuese është absolutisht e pavarur. Ka dhënë prova në shumë raste shumë raste sensitive edhe në rastin e Asociacionit kur e ka vlerësuar… Duke njohur nga afër gjyqtarët besoj se ata do të vijnë në mbrojte të integritetit profesional që kanë. Dhe nuk besoj që bashkësia ndërkombëtarë përfshirë ambasadorët këtu do të ushtrojnë presion, sepse këta e dinë që çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese”, tha Bajrami.