Sezoni i ri i futbollit anglez nis sot me një superpërballje. Arsenal dhe Manchester City do të përballen në finalen e Community Shield, në një duel që sjell përballë kampionët e Premierligës dhe fituesit e FA Cup.
Ndeshja do të zhvillohet në Principality Stadium në Cardiff, ndërsa starti është në ora 16:00 sipas kohës së Kosovës. Ky është rikthimi i Community Shield në Cardiff pas 20 vitesh, pasi Wembley këtë herë nuk është në dispozicion.
Arsenali vjen në këtë përballje si kampion i Premier League dhe me ambicie të mëdha për ta nisur sezonin me trofe. Mikel Arteta ka marrë lajme të mira para finales, pasi Declan Rice, Bukayo Saka dhe Martin Zubimendi janë të gatshëm për të luajtur.
Në anën tjetër, Manchester City nis një epokë të re. Enzo Maresca do ta drejtojë skuadrën në ndeshjen e tij të parë zyrtare pas largimit të Pep Guardiolës, duke pasur menjëherë mundësinë për të fituar një trofe.
Dy skuadrat janë përballur edhe në Community Shield të vitit 2023, kur Arsenali triumfoi pas penalltive. Edhe tri edicionet e fundit të këtij trofeu kanë përfunduar me penallti, duke i shtuar edhe më shumë emocionin përballjes së sotme.
Në Cardiff pritet një spektakël i madh, me Arsenal dhe Manchester City që synojnë ta nisin sezonin 2026/27 me trofeun e parë në vitrinë.















































