Kryesuesja e Asamblesë Komunale në Prizren, Antigona Bytyqi, ka kujtuar sot Betejën e lavdishme të Koshares, e cila më 9 prill 1999 shënoi një kthesë vendimtare në luftën për liri. Ajo theksoi se kjo betejë ishte shpërthim i vullnetit për liri dhe një përballje për identitetin kombëtar.
“Le të mos i harrojmë kurrë emrat e tyre. Le t’u mësojmë brezave të rinj se liria nuk është dhuratë, por sakrificë dhe le ta ndërtojmë këtë vend me ndershmëri, me përgjegjësi, dhe mbi idealet për të cilat ata ranë.” tha Bytyqi në mes tjerash.
“Beteja e Koshares, më 9 prill të vitit 1999, nuk ishte vetëm një përballje ushtarake por ishte një shpërthim i vullnetit për liri, një betejë për identitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë në tokën tonë. Ishte një kthesë e madhe, që e tronditi themelin e okupimit dhe i dha hov fitores sonë.
Ata që ranë në Koshare nuk vdiqën. Ata u bënë pjesë e tokës, e historisë, e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Le të mos i harrojmë kurrë emrat e tyre. Le t’u mësojmë brezave të rinj se liria nuk është dhuratë, por sakrificë dhe le ta ndërtojmë këtë vend me ndershmëri, me përgjegjësi, dhe mbi idealet për të cilat ata ranë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Koshares!
Lavdi Heroit të Kosovës Nazim Buduri dhe gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë!”, ka thënë Bytyqi./04 Online