Pavarësisht se së fundmi ka zgjatur bashkëpunimin me Barcelonën dhe ka shprehur publikisht dëshirën për të vazhduar në “Camp Nou”, Raphinha vazhdon të mbetet në radarët e klubeve nga Arabia Saudite.
Sipas mediave ndërkombëtare, Al-Hilal dhe Al-Nassr nuk kanë hequr dorë nga ylli brazilian dhe janë duke përgatitur një tjetër përpjekje për ta transferuar. Oferta e mundshme për Barcelonën thuhet se mund të arrijë në rreth 80 milionë euro.
Përveç shumës së lartë që do t’i përfitonte klubi katalanas, ekipet saudite janë të gatshme t’i propozojnë futbollistit një pagë dukshëm më të majme sesa ajo që ai merr aktualisht në La Liga.
Raphinha, i cili është i përqendruar te angazhimet me kombëtaren në Kupën e Botës, vazhdon të ndihet i lumtur në Barcelonë. Megjithatë, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë me kujdes situatën, duke peshuar interesat sportive dhe nevojat financiare.
Trajneri Hansi Flick e konsideron brazilianin një pjesë thelbësore të skuadrës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në skemat e tij taktike. Për më tepër, ai gëzon rol të rëndësishëm edhe brenda grupit, ndaj një largim i mundshëm do të krijonte boshllëk të madh në aspektin sportiv.
Nga ana tjetër, Barcelona synon të përforcojë repartin ofensiv gjatë merkatos dhe një shitje me vlerë të lartë do t’i jepte klubit më shumë hapësirë financiare për të realizuar objektivat.
Nëse katalanasit arkëtojnë mes 80 dhe 90 milionë euro nga shitja e Raphinhas, do të kenë mundësi më të mëdha për të investuar te emrat që ndodhen në krye të listës, ku Julian Alvarez mbetet objektivi kryesor, ndërsa mes alternativave përmendet edhe Joao Pedro.
Edhe në të kaluarën Raphinha kishte shqyrtuar mundësinë e një transferimi në Arabinë Saudite, por emërimi i Hansi Flick në krye të Barcelonës ndikoi që ai të vendoste të qëndronte. Megjithatë, zhvillimet e merkatos së kësaj vere mund ta rikthejnë sërish në qendër të spekulimeve për të ardhmen e tij.















































