Elektroencefalograma EEG ose siç përdoret ne gjuhën e përditshme (Ezheja) është një ekzaminim që përdoret për të zbuluar aktivitetin elektrik të trurit nëpërmjet një sistemi elektrodash, që përcjellin sinjale të cilat i marrin nga skalpi dhe i dërgojnë në një sistem të kompjuterizuar.
Ky sinjal analizohet dhe konvertohet në një sistem valësh me anë të cilave diagnostikohen problematika të ndryshme që kanë të bëjnë me trurin. Qelizat e trurit komunikojnë vazhdimisht me njëra tjetrën nëpërmjet shkëmbimit të impulseve elektrike midis tyre.
EEG është një mjet ndihmës në diagnostikimin e sindromave epileptike, tumoreve të trurit, traumave të kokës, encefalitit, stroke, çrregullimeve te gjumit si dhe konfirmimin e vdekjes cerebrale në pacientët në gjendje kome. është ekzaminim i lirë, i sigurt dhe joinvaziv.
Pak histori. Richard Caton në vitin 1875 prezantoi në revistën mjekësore britanike të dhënat e zbulimit të tij. Nëpërmjet një galvanometeri, ai konstatoi prezencën e fenomene te elektrike në trurin e qenit dhe majmunit. Në vitin 1924 një shkencëtar gjerman Hans Berger ishte i pari që realizoi EEG tek njeriu. Ai zbuloi ritmin alfa që u quajt për ndër të tij ritmi i Bergerit.
Pothuajse të gjithë prindërit bejnë një pyetje përpara se të kryejnë EEG për fëmijen e tyre.
A është EEG( Ezheja) e dëmshme?
Përgjigja: Në mënyre absolute Jo
EEG ( Ezhe) tek moshat pediatrike ka disa specifika që janë të ndryshme me adultet si përsa i përket teknikës së regjistrimit ashtu dhe interpretimit të të dhënave. Teknika e regjistrimit është tepër e rëndesishme pasi ajo përcakton cilësinë e interpertimit. Teknika e regjistrimit të EEG kërkon jo vetëm eksperiencë por në rradhë të parë njohje teorike të thellë. Një teknikë e gabuar shoqërohet me intepretim të gabuar dhe pasoja do të jetë tepër e rëndë pasi mjekimet e gabuara që vijnë si pasojë zgjasin me vite. EEG tek fëmijët në muajt e parë të jetës ndryshon çdo muaj dhe në vitet në vazhdim ndryshon nga viti ne vit. Pra tek fëmija një interpret i mirë duhet të njohë tablotë e ndryshme normale sipas moshës për të gjykuar më tej në tablotë jonormale që përkojnë me sindroma të ndryshme epileptike të cilat ndryshojnë si përsa i përket strategjisë terapeutike po ashtu dhe prognozes. Prandaj është e këshillueshme që përpara se të kryeni një EEG për fëmijën duhet të siguroheni që personi i cili kryen ekzaminimin ka trajnimet e nevojshme për EEG në moshat pediatrike.
Përpara se të fillohet regjistrimi i EEG duhet të kemi nje strategji. Duhet të dimë se cilat sindroma epileptike të diferencojmë dhe në bazë të kësaj do të zgjedhim mënyrën e kryerjes se EEG, zgjuar apo në gjumë, provat e aktivizimit si hapja dhe mbyllja e syve, hyperpnea dhe fotostimulimi, lloji i elektrodave që duhen perdorur, numri i tyre, mënyra se si do të pozicionohen etj.
Përdorimi i montazheve të ndryshme gjatë ekzaminimit është një moment tepër i rëndësishëm. Kjo është arsyeja pse një ekzaminim është më mirë të shikohet direkt në kompjuter në softin origjinal, i cili lejon të manovrohet me të gjithë elementët që përmban programi sesa një EEG thjesht e printuar në letër. Ekzaminuesi duhet të jetë jo vetëm një njohës i mirë i EEG, por të ketë aftësi shumë të mira në përdorimin e programeve kompjuterike.
Cilësia e elektrodave dhe llojit te xhelit që do të përdoret, ndikojnë direkt në impedancën midis elektrodës dhe lekurës pra si rrjedhojë në cilësinë e sinjalit.
Elektrodat mund të jenë të veshura me ar, argjend, platin etj. Secila prej tyre ka karakteristikat e veta përsa i përket sinjalit që përçon dhe sigurisht kanë kosto të ndryshme. Mënyra e pozicionimit të tyre është e rëndësishme. Ajo nuk mund të bëhet në mënyre empirike por duke u bazuar në protokolle të përcaktuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Neurofiziologjisë. Si rezultat gabimet prodhojnë disa valë qe quhen artifakte edhe mund te interpretohen gabimisht si valë paroksistike.
Artifaktet prodhohen nga arsye të ndryshme si pozicionimi jo i rregullt i elektrodave, impedanca e keqe me lëkuren, cilësia jo e mirë e elektrodave dhe e xhelit, por mund të jenë dhe për shkak të aktivitetit muskular apo EKG në zonën e pozicionimit të elektrodave si dhe artifakte nga lëvizjet. Fëmijët lëvizin shumë gjatë ekzaminimit prandaj kjo është një nga arsyet që EEG tek fëmijët nën moshën 3 ½ vjeç duhet të kryhet detyrimisht në gjumë. Arsye tjetër për këtë është pasi në gjumë shfaqen anomali të cilat janë të fshehura nëse EEG kryhet zgjuar. Prandaj mos pranoni asnjëherë që fëmijët e kësaj moshe të ekzaminohen zgjuar. Gjithmonë insistoni që ekzaminimi të kryhet në gjumë. Përdorimi i benzodiazepinave për të vënë fëmijën në gjumë gjatë ekzaminimit është i papranueshëm pasi rezultatet e EEG nuk do të jenë reale.
Shpeshherë shohim që protokollet nuk zbatohen dhe ekzaminimet kryhen nga persona që kanë eksperiencë praktike por nuk kane aspak njohuri teorike.
Roli i EEG në diagnostikimin e sindromave epileptike është i padiskutueshëm. Në rradhë të parë ajo është e rëndësishme në diferencimin e krizave epileptike nga pseudokrizat. Sindroma të ndryshme epileptike kanë tablo të ndryshme elektroencefalografike si p.sh. Sindromi Otahtahara me busrt suppresion, Sindromi West me hypsarrhythmia, Absenca me shkarkesa paroksistike të gjeneralizuara 3 Hz, epilepsia rolandike me anomali paroksistike centrotemporale, dhe shumë sindroma të tjera me karakteristika të caktuara si klinike dhe elektroencefalografike.
Një rëndësi shumë e madhe sot i jepet EEG long-term monitoring që do të thotë monitorim gjatë gjithë natës. Kjo është një metodë ekzaminimi tepër i rëndësishem për pacientët të cilët kanë kriza konvulsive por në EEG e kryera rezultojnë normale.
EEG është një ekzaminim që përseritet sa herë që kërkohet nga mjeku specialist. EEG bëhet përpara fillimit të mjekimit, gjatë ndjekjes së mjekimit në çdo hap të tij për të monitoruar se cilat janë rezultatet e mjekimit dhe sigurisht ka një rol të rëndësishem përpara vendimit për ndërprerjen e mjekimit.