A duhet të bëjmë dallimin ndërmjet shëndetit mendor dhe atij fizik?

0
427

Historia ime që kalova në periudhën e koronavirusit nuk është diçka e re për miliona njerëz në mbarë botën që kanë përjetuar koronavirusin. Unë kalova koronavirusin para tre vitesh.
Dhimbjet e trupit, fytit dhe kolla si dhe pamundesia për të realizuar frymarrjen time, ishin të mëdha. Simptomat e mia të para ishin fizike nga të cilat shpesh kam parë dhe vdekjen. Këtë gjendje më së miri e di doktori im Naser Ejupi, ndaj të cilit jam shumë mirënjohës sepse ka qënë në gadishmëri në çdo moment.
Ndërsa dhimbjet e fytit, kolla dhe frymarrja ime u qetësuan me kalimin e kohës, vazhdova të ndihesha i lodhur, letargjik dhe i turbullt për javë të tëra. Fillova të kisha një lloj pasigurie të madhe, gjendje vazhdimisht trishtuese, humbje e interesit në aktivitete që dikur ishin interesante apo të kenaqëshme, nivel i ulët i energjigjsë, lodhje, plogështi, humbje e oreksit më vonë shtim i oreksit (nga ku fitova plot 108 kg mbase nga vitaminat e përdorura), shqetësim i gjumit, pagjumësia, humbje e shprehjes emocionale, ndjenjat e mungesës së shpresës, pesimizmit, fajit, pavlefshmërisë ose vulnerablitetit, tërheqja sociale, probleme me përqendrimin, kujtesën apo marrjen e vendimeve, nervozizmi ose irritimi i pazakontë. Por gjithashtu edhe probleme të vazhdueshme fizike të tilla si dhimbje koke, çrregullime të tretjes ose dhimbje kronike që nuk i përgjigjen trajtimit, mendimet e frikës se isha shumë afër vdekjes etj.
Një infeksion në trupin tim ishte kthyer në një depresion afatshkurtër dhe në disa çrregullime njohëse – nuk kishte asnjë dallim të mprehtë midis shëndetit tim fizik dhe atij mendor.
Tashmë nga studimet e realizuara nga institute të ndryshme në botë ka prova thelbësore që shkalla e depresionit, ankthit ose dëmtimit njohës ishte në rritje pas Covid-it.
Duke pasur parasysh njohuritë në rritje se inflamacioni i trupit i shkaktuar nga sëmundje autoimune ose infektive mund të ketë efekte në shendetin mendor, kjo teorikisht nuk është befasuese. Megjithatë, ky kryqëzim i përsosur i shëndetit fizik dhe mendor është sikur ata të ishin plotësisht të pavarur nga njëri-tjetri kur kanë të bëjnë me sëmundje në trup dhe mendje.
Në praktikë, sëmundjet fizike trajtohen nga mjekët që punojnë në shërbimet mjekësore, dhe sëmundjet mendore trajtohen nga psikiatër ose psikolog që punojnë në shërbime të shëndetit mendor të organizuar veçmas.
Këto grupe profesionale ndjekin shtigje të ndryshme arsimore dhe karriere, mjekët shpesh specializohen në fokusimin vetëm në një pjesë të trupit, ndërsa psikologët trajtojnë sëmundjet mendore.
Ne jetojmë në një botë të ndarë gabimisht që tërheq një vijë shumë të ngurtë – ose bën një dallim të gabuar – midis shëndetit fizik dhe atij mendor. Ku dihet se shumë qendra të mjeksisë familjare, spitale regjionale apo reparte të ndryshme vazhdojnë të kenë mungesë të rolit të psikologut, duhet theksuar faktin që në çdo repart është e domosdoshme prania e psikologut sepse secila semundje ka trajtim shumë dimensional.
Unë me profesion psikolog klinik dhe e kisha problem deri në rimarrjen e vetes, por çfarë mund të mendojmë për pacientët e rendomtë dhe ata që nuk janë të fushave të shëndetit mendor.
Si përfundim mund t’ju them që kujdesja për shëndetin fizik nuk nënkupton vetëm imazh për ju, por edhe kujdes për ruajtjen e shëndetit mendor. Shtimi i psikologut në institucione është i domosdoshëm që pacientët dhe klientët të jenë më të kthjellët në raport me Ju si profesionist, me vetveten e tyre dhe në raport me shoqerinë në të cilën jetojnë.

Shkruan: Batjar HALILI, psikolog

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply