Xhaka në mesin e kandidatëve për t’u zgjedhur lojtari i vitit tek Arsenali

0
310

Granit Xhaka është duke e kaluar njërin prej sezoneve më të mirë në karrierë.

Ylli kosovar është bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të trajnerit Mikel Artetës, i cili deri para pak xhirosh ishte lider dhe favorit për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë, i cili në fund i takoi megjithatë Manchester Cityt.

Sidoqoftë, rënia e “Gunners” në dy muajt e fundit nuk nënkupton se disa prej lojtarëve nuk e kishin një sezon fantastik.

Njëri prej tyre është edhe përfaqësuesi zviceran, i cili kontribuoi si në fazën defanzive, ashtu edhe në atë ofanzive.

Dhe, tash derisa po mbyllet perdja e sezonit 2022/23, është koha për t’i bërë llogaritë.

Eksperti i “Football London”, Kaya Kaynak i ka zgjedhur katër lojtarët më të mirë të “Topçinjve” në këtë edicion, e më pas njëri prej tyre do të zgjidhet më i miri i vitit, varësisht prej votave të tifozëve.

Krahas Xhakës, në garë për çmimin e lojtarit të vitit janë edhe Martin Odegaard, Bukayo Saka e Aaron Ramsdale, të cilët e kaluan po ashtu një sezon fantastik.

Gazetarët e “Football London” e kanë bërë nga një përshkrim për secilin prej katër lojtarëve të zgjedhur.

“Granit Xhaka: Secili e do rikthimin e tij që e ka bërë dhe nuk ka shumë lojtarë të të mirë se ai në Arsenal. Përfaqësuesi zviceran është shndërruar në një mesfushor ‘mbrojtje-sulm’, i cili ka qenë i efektshëm në fazën ofanzive, njëjtë si në atë defanzive, të cilën e ka një pikë të fortë”, shkruan mediumi londinez.

Xhaka ka hyrë në zemrat e tifozëve të Arsenalit, me të cilët i kishte prishur punët disa vite më parë.

Megjithatë, ky mund të jetë edhe sezoni i fundit i futbollistit kosovar në “Emirates Stadium”, për të cilin flitet se gjatë verës mund të rikthehet në Bundesligë, ku kishte luajtur për Borussia Monchengladbachun, por këtë radhë për ta veshur fanellën e Bayer Leverkusenit.

Në dy vitet e fundit, Xhakën e kërkoi edhe Roma e trajnerit Jose Mourinho. 

Leave a Reply