Vuçiq i mllefosur: Kurti do ta drejtojë Mitrovicën e Veriut prej 24 prillit

0
148

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shfaqur i mllefosur që Kosova, do organizojë zgjedhje për pushtet lokal në katër komunat e saj në veri të Republikës më 23 prill.

Në një paraqitje para gazetarëve të premten pasdite, Vuçiq  replikoi në distancë me homologen kosovare, Vjosa Osmani, e cila caktoi datën në fjalë për ditë të votimeve.

“Ajo [Vjosa Osmani] thotë se do organizojnë zgjedhje në veri për 2 përqind të popullatës në Mitrovicë, për 0.2 përqind të banorëve në Zveçan, për 0.9 përqind të popullatës në Leposaviq  dhe për 1.1 përqind të tyre në Zubin Potok. Në Mitrovicë s’e kanë gjetur asnjë serb për garë madje as ‘agjentin’ e tyre s’e kanë gjetur. S’e kanë gjetur asnjë ‘budalla lokal’, pra askënd”, theksoi kryetari i Serbisë.

Këto komente Vuçiq i bëri pas takimit që e kishte me krerët e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave kosovare që vijnë nga ky subjekt.

Ai shtoi se serbët s’e kanë ndërmend të dalin në votimet e 23 prillit.

“S’ka asnjë problem, na thoni Albin Kurti është kryetar i komunës në veri të Mitrovicës, për shkak se ka fituar 1 përqind të votave. Kështu funksionon ajo demokraci e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare. Në Zubin Potok do jetë njëjtë. Kjo është bukuri”, tha Vuçiq.

Presidenti nga Beogradi, paralajmëroi se pas shtatë ditësh do mbajë takim të madh në Rashkë [qytet i Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën] po me krerët e Listës Serbe dhe nga aty do të dilet me përfundime se si të veprohet tutje.

Leave a Reply