Von Cramon: Edhe Kosova edhe Serbia fajtore për mungesë progresi në dialog

0
142

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka fajësuar edhe Kosovën edhe Serbinë për përparimin e ngadalshëm në procesin e dialogut.

Von Cramon ka thënë se të dyja palët janë njëlloj fajtore për vonesën e negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“E di që është më e lehtë të fajësohet (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin. Populli i tij nuk do të studiojë apo blejë në Moskë. Shumica e të rinjve në Serbi e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës”, ​​ka thënë ajo, raporton agjencia kroate e lajmeve Hina.

Sipas saj, as pala kosovare nuk po i lehtëson gjërat, teksa ka përmendur edhe cështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë.

“Por Prishtina nuk i lehtëson gjërat dhe nuk ndihmuan aspak duke u thënë të gjithëve para takimit në Ohër se nuk do të pajtoheshin me asgjë të ngjashme me Asociacionin. Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”, u tha von Cramon gazetarëve në Bruksel.

Në vitin 2013, nën drejtimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën atë që tashmë njihet si Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të saj, raporton agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

Do të ishte shumë më e lehtë nëse Kosova do të përgatiste në mënyrë proaktive nënshkrimin e zbatimit, tha von Cramon-Taubadel.

Ajo tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndoshta do të ofrojë ndonjë propozim për zbatimin e Asociacionit, por pyetja është se sa serioz do të jetë propozimi dhe nëse do të përfshijë mendimin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i vendit.

“Kjo nuk do të thotë se me shumë gjasa do të shohim një zgjidhje për të gjithë dialogun së shpejti”, shtoi ajo.

Sipas eurodeputetes, Kosova duhet të kuptojë se një kompromis është në interes të popullit dhe se është i nevojshëm për të ardhmen e gjeneratës së ardhshme.

“Nëse nuk gjejmë një kompromis nga të dyja palët, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit. Për mua nuk ka dyshim, ne duhet ta mbrojmë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që të respektohet ajo që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013”, përfundoi raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel.

Javët e fundit negociatat janë intensifikuar, kështu që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan dy herë, në fund të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, ku me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, ata ende nuk kanë nënshkruar asgjë.

Leave a Reply