Është nënshkruar Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF-së në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, në prani të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes, ndërmjet përfaqësuesve të BoP/ISF Gaza dhe Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Jeffers vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në mision, ndërsa Jashari theksoi se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të kontribuar në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Sipas FSK-së, ky angazhim synon rritjen e kontributit të Kosovës në sigurinë ndërkombëtare dhe kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet. /Gazeta Express
Njoftimi i plotë i FSK:
Nënshkruhet Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese Gaza
Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force -ISF) Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, dhe stafit të tij, në praninë e Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes, u nënshkrua Marrëveshja e Participimit ndërmjet përfaqësuesve të BoP/ISF Gaza dhe Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të këtij misioni.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, GJM Jeffers, në cilësinë e Komandantit të ISF Gaza, vlerësoi lart vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Gjeneral Major Jeffers shprehu gjithashtu mirënjohjen për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar angazhimin dhe lidershipin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të këtij misioni.
Nga ana e tij, GLT Jashari falënderoi GJM Jeffers për vlerësimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
KOMFSK theksoi se FSK synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik, kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj. Duke kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës si kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.














































