Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj, në një takim me gazetarë ka folur për prioritetet që ka në 6 mujorin e fundit të këtij viti dikasteri që ajo drejton, ndërsa ka premtuar proces transparent të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.
Para pjesëtarëve të mediave, drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj, tha se prioritetet e dikasterit që ajo drejton për pjesën e mbetur të vititi, janë përzgjedhja e drejtorëve ku procesi i aplikimit do të fillojë nga data 19 maj, siguria në shkolla, edukimi i hershëm dhe funksionalizimi i çerdhes më të madhe publike në vendin tonë, atë në lagjen “ Bajram Curri”.
Drejtoresha Veselaj- Gutaj, është zotuar për proces transparent të përzgjedhjes së drejtorëve si dhe rekrutim të personave kredibil dhe në shërbim të depolitizimit të këtij sektori të rëndësishëm. Ajo në fund ka bërë thirrje për aplikim të të gjithë interesuarve që mund të japin kontributin e tyre profesional në menaxhimin sa më të suksesshëm të shkollave.
Ndryshe, sektori i arsimit në Prizren është ndër më problematikët për shkak të problemeve të akumuluara prej vitesh, ku për disa vjet rresht, shkollat janë menaxhuar nga ushtrues të detyrës./TvPz