Vaksina e re kundër hantavirusit jep shpresa

0
60

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh po punon për zhvillimin e një vaksine kundër hantavirusit, pas shpërthimit të fundit të virusit të transmetuar nga brejtësit në anijen turistike luksoze MV Hondius, ku humbën jetën tre persona.

Aktualisht nuk ka një vaksinë të miratuar apo një kurë specifike për hantavirusin. Në rastet më të rënda, infeksioni mund të përparojë në sindromën pulmonare nga hantavirusi, një gjendje serioze që prek mushkëritë dhe mund të jetë fatale për një përqindje të lartë pacientësh.

Shkencëtarët në Universitetin e Bath kanë zhvilluar një antigjen të ri kundër sëmundjes Hantaan, e cila i përket grupit të hantaviruseve. Vaksina është testuar në laborator dhe në modele shtazore, ku sipas studiuesve ka dhënë përgjigje shumë të mira imunitare.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojitet ende punë e mëtejshme, përfshirë prova klinike të kontrolluara, përpara se vaksina të mund të miratohet për përdorim te njerëzit.

Profesoresha Asel Sartbaeva, pjesë e projektit, u shpreh se zhvillimi i një vaksine do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për parandalimin e rasteve të reja ose të paktën për zbutjen e pasojave më të rënda të infeksionit.

Deri tani, ndërhyrja e hershme mjekësore mbetet mënyra kryesore për të menaxhuar virusin. Problemi është se simptomat fillestare shpesh ngatërrohen me gripin ose Covid-in, duke bërë që disa pacientë të kërkojnë ndihmë vetëm kur sëmundja ka përparuar.

Në fazat e avancuara, trajtimi mund të përfshijë oksigjenoterapi, ventilim mekanik dhe në disa raste dializë, sidomos kur infeksioni shkakton dëmtim të mushkërive apo insuficiencë të veshkave.

Hantavirusi është kthyer së fundmi në shqetësim ndërkombëtar pas rasteve të raportuara në anijen MV Hondius. Ende nuk është e qartë nëse infektimi ka ndodhur nga ndotja me brejtës në vetë anijen apo nëse pasagjerët janë ekspozuar para nisjes. Raportime të reja sugjerojnë se disa prej tyre mund të kenë vizituar një zonë mbeturinash gjatë një udhëtimi për vëzhgim zogjsh, gjë që mund t’i ketë ekspozuar ndaj virusit.

Simptomat e hantavirusit mund të shfaqen deri në tetë javë pas ekspozimit. Fillimisht ato ngjajnë me gripin, duke përfshirë lodhje, temperaturë dhe dhimbje muskujsh. Më pas, në varësi të llojit të virusit, sëmundja mund të përparojë në dy forma të rënda: sindroma pulmonare nga hantavirusi, që prek mushkëritë, ose ethet hemorragjike me sindromë renale, që prekin kryesisht veshkat.

Jo të gjithë personat e infektuar zhvillojnë simptoma të rënda. Disa mund të kalojnë infeksionin me shenja të lehta, ndërsa të tjerë mund të mos shfaqin fare simptoma.

Shqetësimi kryesor lidhet me variantin Andes, i cili është identifikuar në këtë shpërthim dhe njihet si një nga llojet e rralla të hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Për këtë arsye, autoritetet po përpiqen të kontaktojnë pasagjerët që kanë zbritur nga anija, me qëllim testimin dhe izolimin e tyre nëse është e nevojshme.

Periudha e gjatë e inkubacionit e bën më të vështirë gjurmimin e rasteve, pasi një person mund të mos ketë simptoma për javë të tëra dhe infeksioni të mos zbulohet menjëherë.

Studiuesit kishin nisur punën për vaksinën përpara shpërthimit të fundit, por tani përpjekjet për ta çuar atë drejt miratimit janë intensifikuar. Një nga synimet kryesore të projektit është krijimi i një vaksine që nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulëta, çka do ta bënte transportin më të lehtë, sidomos në zona të largëta.

Teknologjia që po përdoret quhet “ensilication” dhe konsiston në mbështjelljen e vaksinës me shtresa mikroskopike materiali, për ta bërë më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve të temperaturës.

Shpresa e shkencëtarëve është që vaksinat e stabilizuara termikisht të mund të shpërndahen më shpejt në zonat e prekura nga shpërthimet, madje edhe përmes dronëve, duke ndihmuar në mbrojtjen e popullatave më të rrezikuara. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here