Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Suharekën, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Rasti ka ndodhur rreth orës 07:50 në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.
Sipas informatave, viktima R.K., rreth 52-vjeçar është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e qytetit nga djali i tij, G.K., rreth 26-vjeçar.
Burimet bëjnë të ditur se djali ka deklaruar para Policisë se kur kishte hyrë në shtëpi e kishte gjetur babanë të varur me litar në shkallët e shtëpisë.
Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka siguruar lokacionin, ku është gjetur edhe litari me të cilin dyshohet se viktima kishte kryer vetëvarjen.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit e Stacionit Policor në Suharekë, ndërsa më pas janë angazhuar edhe hetuesit rajonalë nga Prizreni.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar./Gazeta Sinjali/















































