Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, që e nominoi për kryeministër, sërish tha se të gjitha partitë u bënë bashkë kundër tij.
Krahas partive shqiptare, Kurti e radhiti edhe Listën Srpska dhe tha se zgjedhjet u shkaktuan nga frika e tyre.
“Qëndrimet e tyre vijnë nga frika. Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Më të madhe e kanë frikën e urrejtjen ndaj nesh sesa atdhedashurinë për Republikën e Kosovës. Vetëm e vetëm pse nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjet e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve. Ata u bashkuan të gjithë kundër nesh. PDK, LDK, AAK, Lista Srpska, jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta kthyer atë në burim privat të pasurimit”.
Por, Kurti tha se përballë tyre qëndron Vetëvendosje me “dritën e Naimit” apo me “dritën e Sokratit”.
“Përballë këtij fronti të errësirës, ne me dritën e Naimit apo edhe me dritën e Sokratit, i themi popullit s’ka kthim prapa, por ka vetëm ecje para”, tha Kurti.
Më pas Kurti foli për akuzat ndaj tij për izolim ndërkombëtar të Kosovës kur vendi u ndëshkua me masa e sanksione nga aleatët perëndimorë.
Por, ai mohoi se ka ndodhur izolim.
“’Kurti po e izolon Kosovën’. Unë u përgjigjem, Kosova kurrë nuk ka qenë më e pranishme dhe më e mirëpritur në kancelaritë e botës sesa tani. Jemi të izoluar nga korrupsioni, nga pazarllëqet e natës, nga krimi i organizuar”. /Express/















































