Uruguaji triumfon në Argjentinë! Super Diaz, Kolumbia përmbys Brazilin

0
130

Bien Argjentina dhe Brazili në ndeshjet eliminatore të Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026. Kampionët e Botës në fuqi u surprizuan 0-2 nga Uruguaji i Marcelo Bielsas në “La Bombonera”.

Ronald Araujo dhe Darwin Nunez shënuan golat e fitores për miqtë në stadiumin e Boca Juniors, teksa traversa i mohoi golin e barazimit të përkohshëm Leo Messit.

Kjo ishte hera e pestë në 66 vite që Argjentina humbet një sfidë eliminatoresh në shtëpi. Në të njëjtën kohë, Uruguaji i dha fund ecurisë prej 15 rezultatesh pozitive radhazi të djemve të Scalonit.

Luis Diaz përmbys i vetëm Brazilin në Barranquilla. Kolumbia triumfoi 2-1, duke siguruar fitoren e parë në histori përballë 5 herë kampionëve të botës në një takim eliminator.

Gabriel Martinelli kaloi Brazilin në avantazh në minutën e katërt, por Diaz realizoi dy gola me kokë në çerekorëshin e fundit të takimit.

Duke mposhtur dy herë Alisson, shokun e tij tek Liverpooli, golat që u përjetuan me emocione të jashtëzakonshme nga babai i tij në tribunë. Por edhe gjithë tifozët kolumbianë.

Duelet e ashpra nuk munguan, njësoj si në sfidën e Argjentinës. Vinicius Junior u largua i dëmtuar nga fusha pa u mbyllur pjesa e parë.

Në sfidat e tjera, Kili nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Paraguajit. I njëjti rezultat u regjistrua edhe në Venezuelë-Ekuador, teksa Bolivia mposhti 2-0 Perunë.

Leave a Reply