UEFA demanton lajmin se Championsin ua ka shitur arabëve

0
175

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka reaguar pas lajmit të publikuar nga “OK Diario” se Ligën e Kampionëve ua ka shitur arabëve. Shtëpia evropiane e futbollit ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë ndërsa reagimi i saj ka ardhur të mërkurën, një ditë pas lajmit të publikuar nga mediumi spanjoll, i cili bëri bujë të madhe. Reagimin e UEFA-s e kanë publikuar mediume të shumta, ndërsa nuk është cituar ndonjë zyrtar i UEFA-s.

Të martën është raportuar se finalja e Championsit për edicionin 2029/30 do të luhet në Abu Dhabi, si pjesë e kontratës së re gjashtëvjeçare që UEFA e kishte lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kishte një vlerë prej 2.2 miliardë eurosh.

Mediumi spanjoll shkruante se kjo marrëveshje e UEFA-s për Ligën e Kampionëve ishte përgjigje ndaj vendimit të gjykatës në lidhje me projektin e Superligës Evropiane.

Vendimi në lidhje me Superligën Evropiane pritet të merret së shpejti në Luksemburg, ndërsa është raportuar se nuk është aspak në favor të UEFA-s dhe se do të jetë në fuqi prej edicionit të ardhshëm. Megjithatë, UEFA ka insistuar se të gjitha këto raportime nuk janë aspak të vërteta, duke aluduar se tabloidi spanjoll vazhdimisht shpërndan të pavërtetë për UEFA-n dhe se kjo praktikë tashmë është shndërruar në përditshmëri duke pasur parasysh se gjithnjë e më shumë po afrohet dita e vendimit të Gjykatës Evropiane për çështjen e Superligës.

Sipas UEFA-s, kjo nuk është hera e parë që “OK Diario” bën lajme të tilla spektakolare, duke shpërndarë dezinformata në të gjithë botën.

Mediumet spanjolle insistuan se UEFA do t’i shiste të drejtat për të gjitha garat e saj në Lindjen e Mesme, përfshirë këtu edhe Championsin e femrave dhe futsallin. Madje, raportohej se vendimi në lidhje me shitjen e të drejtave të Ligës së Kampionëve do të zyrtarizohej më 7 shkurt të vitit të ardhshëm, në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Paris, përpara shortit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

“UEFA e di se më 21 dhjetor mund të humbasë padinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën dhe ka rënë dakord me Abu Dhabin për të sponsorizuar Ligën e Kampionëve. Ata duan ta bëjnë garën më tërheqëse për klubet dhe të shmangin krijimin e Superligës”, kishte thënë gazetari spanjoll Eduardo Inda në emisionin “El Chiringuito de Jugones”.

UEFA deri më tani ka fituar garën me ideatorët e Superligës evropiane./Koha

Leave a Reply