U rrah me miqtë ditën e Bajramit, dhëndri përfundon sërish në ndalim policor – dyshohet për një vepër tjetër

0
199
Foto: Ilustrim

Anëtarët e dy familjeve, Sfarqa dhe Uka u përfshinë në një përleshje, ditën e Fitër Bajramit.  Vizita me rastin e kësaj feste, u kthye në një rrëmujë të vërtetë në shtëpinë e familjes Uka në Çagllavicë të Prishtinës. Dhëndri u sulmua nga dy miqtë që shkuan të bëjnë Bajram me vajzën e tyre. Gazeta Sinjali raportoi se tre burrat e dy familjeve përfunduan në ndalim policor dhe ndaj tyre nisën hetimet.

Babë e bir nga familja Sfarqa, për motive akoma të panjohura, dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike me dhëndrin e tyre, i cili po ashtu është i dyshuar për rastin.

Ditën kur ndodhi incidenti, palët u shoqëruan në stacion policor dhe ndaj tyre Prokurori i Shtetit urdhëroi masën e ndalimit policor.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas përfundimit të këtij afati ligjor, dhëndri i dyshuar është intervistuar sërish nga hetuesit, pasi dyshohet edhe për një vepër tjetër, shkeljen e urdhrit mbrojtës lidhur me rastin e dhunës në familje.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar sërish caktimin e masës së ndalimit policor.

Por si ndodhi rasti ku u përfshi në përleshje me miqtë

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti verbal mes miqve dhe dhëndrit, çka ka bërë që situata të eskalonte në dhunë fizike ndërmjet palëve.

Si pasojë e dhunës, dhëndri ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që miqtë janë arrestuar në vendngjarje dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Dëshminë e tij lidhur me rastin e dha edhe dhëndri, pasi mori ndihmën mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe ndaj tyre të nisin hetimet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Leave a Reply