Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, priti sot përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Isa Berisha dhe Malush Fanaj, shkruan 04 Online.
Në takim u diskutua për identifikimin dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë që lidhen me luftën çlirimtare.
“Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha dhe Malush Fanaj. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi identifikimin dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë që lidhen me luftën çlirimtare.
“Biseduam për rëndësinë e ruajtjes së objekteve që lidhen me luftën tonë çlirimtare – vende që mbajnë gjurmët e sakrificës, që flasin për qëndresën dhe përkushtimin për liri,” tha drejtori Hoxha. Ai theksoi se këto ndërtesa nuk janë thjesht objekte fizike, por dëshmi të gjalla të një periudhe të rëndësishme të historisë sonë. “Këto ndërtesa nuk janë thjesht mure – janë dëshmi të gjalla të historisë sonë, dhe si të tilla duhet të ruhen me kujdes e respekt,” u shpreh Hoxha.
Në përputhje me mandatin e institucionit që drejton dhe rregulloren për inventarizim, drejtori Hoxha ritheksoi angazhimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për të dokumentuar dhe mbrojtur këto vlera me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore. “Puna jonë për të dokumentuar dhe ruajtur këto vlera është një detyrë institucionale dhe patriotike,” deklaroi ai, duke shtuar se “ruajtja e trashëgimisë së UÇK-së është nder për ne dhe amanet për brezat që vijnë.”
Nga ana tjetër, kryetari i OVL-UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, falënderoi drejtorin për këtë iniciativë dhe shprehu mbështetjen e plotë të shoqatës në këtë proces. “Kjo është një nismë që na nderon dhe që e kemi pritur me shumë vullnet. Shoqata jonë do të jetë krah Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në çdo hap të këtij procesi, sepse ruajtja e vendeve që lidhen me luftën është ruajtje e vetë identitetit tonë,” u shpreh Berisha.”, thuhet në njoftimin e QRTK-së./04 Online