Transparency International: Kosova ka përparuar në luftën ndaj korrupsionit, por s’e ka nën kontroll

0
122
Foto: Ilustrim

Kosova ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, por nuk e ka nën kontroll këtë dukuri, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022. Në një matës nga 0 deri në 100 pikë, sipas TI-së, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në luftën ndaj korrupsionit. 100-shi është vlera për vendin shumë të pastër nga korrupsioni. Në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, megjithatë TI thekson se Kosova vazhdon të mos e ketë nën kontroll korrupsionin.

“Kosova (41) ka bërë përparim me kornizë të përmirësuar të ligjit për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Edhe pse vitin e kaluar nuk ka pasur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës”, thuhet në raport.

Në përgjithësi aty theksohet se Ballkani Perëndimor është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar e se shtetet kanë qenë të ngadalshme në adresimin e rrezikut. Aty janë përmendur tensionet Kosovë-Serbi si shkaktare për rritje të rrezikut në rajon, duke theksuar minimin e bashkëpunimit kufitar, “që është çelës i luftimit të suksesshëm ndaj krimit të organizuar”.

“Vendimmarrja politike më transparente dhe e përgjegjshme, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, do të krijonte klimë më të përshtatshme për zgjidhjen konstruktive të konfliktit të ngrirë dhe do të mundësonte zbatimin e reformave kyçe si parakusht për integrimin në BE”, thuhet në raport.

Përmirësim ka regjistruar edhe Shqipëria. Ajo tash ka 36 pikë dhe është e 101-a në renditje. Është ngritur për një pikë në krahasim me vitin e shkuar. Edhe Maqedonia e Veriut është përmirësuar për një pikë. Ajo është e 85-a me 40 pikë.

Serbia ka rënë për dy pikë dhe me 36 sosh është e 101-a në renditje. Për një pikë ka rënë edhe Mali i Zi që është i 65-i në renditje me 45 pikë.

Më së miri në botë është Danimarka. Ajo ka 90 pikë në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit. Pas saj janë Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia, Zvicra, Holanda, Gjermania, Irlanda e Luksemburgu që mbyllin dhjetëshen e parë.

Leave a Reply