Toni Kroos ka hedhur poshtë çdo mundësi për një rikthim si lojtar te Real Madrid, duke i dhënë fund spekulimeve që kishin marrë hov gjatë një sezoni të vështirë për klubin në Ligën e Kampionëve dhe në mesfushë.
Real Madridi ka pasur probleme në balancimin e skuadrës këtë sezon, veçanërisht në mesfushë, gjë që ka bërë që emri i Kroosit të përmendet shpesh si zgjidhje e mundshme. Megjithatë, vetë gjermani e ka mbyllur këtë diskutim qartë.
Duke folur në “Laureus Awards Gala” në Madrid, Kroos tha se nuk ka menduar kurrë për rikthim.
“Jo, sinqerisht jo. Nuk e kam pasur kurrë atë mendim sepse u ndala saktësisht siç doja. E mbylla kapitullin. Edhe nëse do ta mendoja rikthimin, është vonë — përfundimi im ishte në nivelin më të lartë dhe çdo gjë pas tij do të ishte më keq”, tha ai.
Kroosi u tërhoq në vitin 2024 në kulmin e karrierës së tij, pasi fitoi edhe një herë Championsin me Real Madridin në sezonin 2023-24.
Ai e mbylli karrierën me gjashtë trofe të Championsit dhe një Kupë Bote me Gjermaninë.
Ai theksoi se tashmë është i fokusuar në jetën pas futbollit.
“Tani kam motivime dhe projekte të tjera në jetë. Ajo fazë përfundoi mirë dhe u largova i lumtur”, shtoi ai.
Pavarësisht kësaj, raportimet thonë se Real Madridi ende e konsideron Kroosin për role jashtë fushës, në strukturën sportive të klubit në “Bernabéu”, duke reflektuar ndikimin e madh që ai ka pasur në historinë e klubit.
Në mbrëmje, ai u nderua me çmimin “Laureus Sporting Inspiration Award”, një vlerësim i rrallë që i është dhënë vetëm disa sportistëve dhe ekipeve në histori, si njohje për karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe ndikimin në futbollin modern./Express














































