Të krishterët në rrugët e Senegalit shpërndanë iftar për myslimanët

0
139

Anëtarët e komunitetit të krishterë në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, shpërndanë iftare për myslimanët.

Aksioni u organizua nga shoqata e krishterë “La Main du Coeur” (Dora e Zemrës), e cila vepron në Senegal.

Në kuadër të aksionit, të rinjtë e krishterë u shpërndanë iftar të përbërë nga ujë, hurma, sandviçë dhe kafe për myslimanët që i hasën rrugës. Rreth 4.000 vakte iftaresh u shpërndanë në një aksion të mbështetur nga organizata të shumta joqeveritare, shkruan Anadolu Agency.

Elhadj Fallou Diop, i cili ndodhi në rrugë gjatë iftarit, tha se i bëri përshtypje ky gjest i mrekullueshëm i komunitetit të krishterë ndaj myslimanëve.

“Isha i befasuar disi, por edhe u lumturova kur mora vesh se personat që ndanin iftarin ishin në të vërtetë të krishterë. Kjo është një traditë që duhet ta vazhdojmë dhe një tregues se kemi trashëguar një trashëgimi të bukur nga të parët tanë”, tha Diop.

Ephrem Manga, një nga të rinjtë që ndau iftare, tha se është e rëndësishme të promovohet kultura e të jetuarit së bashku të trashëguar nga të parët.

“Si pjesë e shoqatës ‘La Main du Coeur’ shpërndamë iftare për të tretën herë. Të krishterët dhe myslimanët jetojnë në paqe në vendin tonë. Ne si të rinj katolikë donim të bënim një gjest të mirë ndaj vëllezërve tanë myslimanë. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë për të ruajtur këtë atmosferë uniteti dhe solidariteti”, theksoi Manga.

Rreth 96 për qind e 17.9 milionë banorëve të Senegalit janë myslimanë ndërsa 3.3 për qind janë të krishterë.

Leave a Reply