Lionel Messi debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme me Interi Miamin, duke qenë vendimtar në fitoren e skuadrës së tij.
Këtë të shtunë, sipas kohës tonë lokale, Inter Miami luajti ndaj Cruz Azul në Kupën e Ligës.
Ndeshja e zhvilluar në “DRV PNK Stadium” përfundoi me rezultatin 2:1 në të mirë të skuadrës nga Miami.
Messi ishte vendimtar në këtë fitore, pasi shënoi në minutën e katërt shtesë – 90+4′.
Goli i yllit argjentinas ishte tejet i bukur. Ai shënoi nga gjuajtja e lirë.
Përveç golit, spektakolar ishte momenti kur ai hyri në fushë për herë të parë me fanellën e Inter Miamit – në minutën e 54′.
Të pranishëm në stadium ishin mbi 20 mijë tifozë. Kur 36-vjeçari hyri në fushë, thirrjet “Messi, Messi, Messi” mund të dëgjoheshin në të gjithë stadiumin.
Ndërsa, komentatori amerikan i ndeshjes tha: “Zyrtarisht jemi në epokën e Lionel Messit”.
Fituesit të Kupës së Botës iu dorëzua menjëherë shiriti i kapitenit dhe ai u nis për të bërë atë që di më së miri.