Kryediplomatja Donika Gërvalla ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të procesit të Berlinit, me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Në këtë takim, Gërvalla ka thënë se bashkëpunimi rajonal është kyç për përparimin e rajonit, jo vetëm në aspektin e partneritetit, por për gjithë procesin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Gërvallës, implementimi i marrëveshjeve nga të gjitha shtetet do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit,
“Ministrja Gërvalla theksoi se përparimi drejt integrimit evropian kërkon përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në katër marrëveshjet të cilat mundësojnë katër liritë themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.
“Implementimi i këtyre marrëveshjeve nga të gjitha shtetet do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit”, thuhet në njoftimin e MPJD.