Si arriti pastruesja të bëhet bashkëpronare e vilave luksoze në bregdetin e Vlorës

0
405

Thuhet shpesh se Shqipëria është vendi i çudirave dhe i pasurimit brenda natës, por edhe fjala ‘habi’ ka nisur të humbasë kuptimin.

Një 29-vjeçare me emrin Anxhela Rrudha nga Lushnja, e cila vite më parë pastronte trenat lodër në një kënd fëmijësh në Tiranë, sot është bashkëpronare e disa vilave në Palasë dhe Farkë.

Të punosh në një kënd lojërash për fëmijë është një punë e nderuar, por nuk mund të blesh as një garsionere në preriferi dhe jo më vila me vlerë miliona euro. Një familje të zakonshme shqiptare, me të ardhura mesatare, i duhen rreth 30 vite kursime për të blerë një apartament, raporton Prapaskena.com.

Prapaskena ka siguruar disa kontrata, sipas të cilave, Anxhela Rrudha është bashkëpronare e disa vilave me vlerë reale miliona euro në Palasë dhe Tiranë, duke mos pasur të ardhura të ligjshme për të mbuluar as 3 % të vlerës së vilave.

Sipas një prej kontratave që po publikojmë sot, 29-vjeçarja Anxhela Rrudha, në vitin 2020 ka blerë vilën e radhës në Palasë, tek kompleksi i Samir Manes, me vlerë reale mbi 600 mijë euro.

Vlera në kontratë është shënuar më e ulët, një marifet që i intereson kompanisë Green Coast shpk për shmangur taksat, por nga ana tjetër i intereson edhe Anxhela Rrudhës, për të justifikuar sa të mundet vlerën, me kredi fiktive dhe të ardhura të pajustifikuara.

Pjesën tjetër, Anxhela Rrudha dhe bashkëshorti i saj, për aktivitetin e zi të të cilit do flasim në vijim, e kanë paguar cash me para të pista.

Nëse SPAK hap kontratat e shitjes së vilave nga kompania Green Coast shpk do të konstatojë një skemë masive të pastrimit të parave, në bashkëpunim me kapo droge, koka krimi, politikanë të korruptuar, pseudo biznesmenë, sekserë, drejtorë dhe ish drejtorë.

Dikur pastruese e trenave të fëmijëve, Anxhela Rrudha, e cila sot pozon edhe si modele, nuk ka vetëm vilën në Palasë, por edhe disa vila të tjera po në Palasë dhe Tiranë, në funksion të skemës së investimit të parave të pista në pasuri të palujtshme./Media Ndërtimi

Leave a Reply