“Shnet” pas teshtimës po bezdis gjithnjë e më shumë njerëz – pse kjo shprehje po vihet në diskutim

0
69

Para se të pini një gotë, thoni “gëzuar”. Para një vakti, “ju bëftë mirë”. Ndërsa kur dikush teshtin, shumë njerëz reagojnë pothuajse automatikisht me “të bekoftë Zoti” apo “shëndet”.

Është një zakon aq i rrënjosur sa shpesh përdoret pa menduar fare për origjinën e tij. Megjithatë, jo të gjithë e vlerësojnë më këtë reagim.

Një diskutim i fundit në Reddit, ku përdoruesit u pyetën se cilat zakone të sjellshme i konsiderojnë fshehurazi tepër bezdisëse, tregoi se edhe urimi pas teshtimës mund të shkaktojë irritim.

Nga frika e sëmundjeve te besimet për shpirtin

Para zhvillimit të mjekësisë moderne, një teshtimë mund të shihej si shenjë e një sëmundjeje serioze. Shprehja “Zoti të bekoftë” apo “shëndet” përdorej si një lloj lutjeje për ta mbrojtur personin nga sëmundja apo nga pasoja edhe më të rënda.

Në periudha të tjera ekzistonte edhe besimi se teshtima mund ta “nxirrte” shpirtin nga trupi dhe t’u hapte rrugë forcave të liga.

Sot këto besime i përkasin historisë dhe folklorit, por shprehja ka mbetur pjesë e etikës së përditshme në shumë vende.

“Dua vetëm të teshtij në paqe”

Disa përdorues të rrjeteve sociale thonë se reagimi pas teshtimës i detyron të hyjnë në një ndërveprim që nuk e dëshirojnë.

“E urrej kur njerëzit më thonë ‘të bekoftë Zoti’ pasi teshtij. Pastaj ndihem i detyruar të them faleminderit. Më lini të teshtij në paqe”, shkroi një përdorues në Reddit.

Një tjetër komentues në TikTok u shpreh se thjesht dëshiron që funksionet e tij trupore të mos vihen në qendër të vëmendjes.

Edhe aktori Paul Mescal ka folur kundër këtij zakoni.

“Është thjesht humbje kohe. Unë nuk them kurrë ‘bless you’. Mendoni sa e çuditshme është. Është shumë fetare dhe mendoj se nuk kemi më nevojë ta bëjmë”, ka thënë ai në një intervistë.

Pse disa njerëz ndihen në siklet?

Terapistja Candace Newton shpjegon se teshtima është një moment i shkurtër në të cilin personi humbet kontrollin mbi trupin.

“Trupi papritur bën diçka të zhurmshme, të gjithë e dëgjojnë dhe nuk ka ndonjë mënyrë elegante për ta ndaluar”, thotë ajo.

Sipas saj, shumica e njerëzve përpiqen ta kalojnë momentin sa më shpejt, por një koment nga dikush tjetër e konfirmon se teshtima është vënë re.

“Papritur nuk po menaxhon vetëm teshtimën, por edhe një bisedë që nuk kishe ndërmend ta bëje”, shpjegon Newton.

Për disa persona, edhe kuptimi fetar i shprehjes mund të jetë problematik.

“Shumë njerëz e përdorin pa menduar fare për fenë, por të tjerë e dëgjojnë më fjalë për fjalë dhe mund të mos duan që një i panjohur të sjellë besimin fetar në një ndërveprim që lidhet me trupin e tyre”, shton ajo.

Këshilla e saj është e thjeshtë: nëse ju pëlqen ta përdorni shprehjen, thuajeni një herë dhe vazhdoni më tej, pa pritur domosdoshmërisht një “faleminderit” dhe pa e përsëritur pas çdo teshtime.

A është bërë e pasjellshme kjo shprehje?

Ekspertja e etikës Laura Windsor ka një pikëpamje krejt tjetër.

Sipas saj, urimi pas teshtimës vazhdon të jetë një gjest respekti dhe mirësjelljeje.

“Pse duhet të konsiderohet i pasjellshëm? Është thjesht një mënyrë për ta pranuar momentin dhe për t’i kushtuar vëmendje personit”, thotë ajo.

Windsor mendon se reagimi negativ ndaj një gjesti të tillë mund të jetë i ekzagjeruar dhe se shprehja nuk duhet të trajtohet si ndonjë detyrim i rëndë shoqëror.

Në fund, duket se çështja mbetet më shumë çështje preference personale sesa rregull etik.

Për disa, “të bekoftë Zoti” ose “shëndet” është një gjest i vogël mirësjelljeje. Për të tjerë, është një ndërhyrje e panevojshme në një moment që do të donin thjesht ta kalonin pa vëmendje. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here