Edhe përkundër faktit se u ballafaquan me shumë vështirësi për ti siguruar vizat dhe sidomos mjetet financiare për të shkuar në Poloni, ku ishin të ftuar në festivalin ndërkombëtar “PYRZYCE MEETINGS WITH FOLKLORE”, djemtë dhe vashat e SHKA “AGIMI” kanë arritur të ja dalin.
Gëzim Sertollaj, nënkryetar dhe koreograf i SHKA “AGIMI” ka konfirmuar për 04 Online se kanë arritur ta rrëmbëjne çmimin e dytë të festivalit dhe të shpallen si çifti më i mirë në festival.
“Pas një pauze të detyrueshme tre vjeçare, rikthehemi në skenën ndërkombëtare me paraqitje mbresëlënëse. Fitues të dy çmimeve: Vendi i dytë dhe Çifti më i mirë në festival.
Ky rikthim për ne ka qenë i vështirë e më shumë sakrifica, me plotë premtime e pa asnjë përkrahje! Nga Polonia me plotë dashni. #shkaAgimi”, ka thënë Sertollaj.
Ju kujtojmë se Drejtoria e Kulturës nuk ka treguar gatishmërinë për ta mbështetur materialisht këtë trupë, përkundër shumë kërkesave e lutjeve. Por, ata nuk janë dorëzuar dhe me mjete vetanake kanë shkuar në Poloni për të marrë pjesë në festivalin e njohur me karakter ndërkombëtar./04 Online