SHBA-ja i jep 17 milionë dollarë për Ushtrinë e Shqipërisë

0
316

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Bajram Begaj, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi kanë dhënë 17 milionë dollarë për Ushtrinë e Shqipërisë.

Kështu ka njoftuar ai derisa ka folur për VOA-n lidhur me koordinimin që ka vendi i tij me SHBA-në për sa u takon aftësive mbrojtëse dhe ndihmëse në Ukrainë.

Në takimin e tij të realizuar në Pentagon me Shefin e Shefave të Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë amerikane, Mark Milley, Begaj ka thënë se u diskutua për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

“Kemi një zyrë bashkëpunimi ushtarak me Shtetet e Bashkuara, e cila gjendet në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare dhe kjo zyrë koordinon të gjitha buxhetet, të cilat jepen nga shteti amerikan për të ndihmuar forcat e armatosura shqiptare. Këto buxhete ndahen në dy kategori. Një buxhet janë grantet të cilat janë falas për të rritur fuqinë mbrojtëse të vendit dhe një kategori tjetër, e cila është me buxhete të përbashkëta, të cilat ndihmojnë në fuqizimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Dhe këtë radhë shteti amerikan ka akorduar një buxhet grant prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse të forcave të armatosura dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse”, ka thënë ai.

Gjenerali Begaj është deklaruar edhe rreth blerjes së raketave Javelin.

“Shqipëria do të marrë nga kompania Lockheed Martin një sasi me raketa kundërajrore të tipit Javelin, të cilat do të rrisin fuqinë tonë mbrojtëse kundërajrore. Siç e përmenda dhe më parë ky lloj furnizimi me këto produkte ushtarake do të rrisë fuqinë mbrojtëse të vendit dhe asnjëherë nuk do të jetë për qëllime të tjera, kështu që do të jetë vetëm për qëllime mbrojtëse dhe si kapacitete që mund të përdoren kudo dhe kurdoherë që do të kërkojë aleanca”, ka thënë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here