Sfida Ballkani – Viktoria Plzen do të zhvillohet në “Air Albania”

0
134

Ndeshja e parafundit e fazës grupore të Ligës së Konferencës mes Ballkanit dhe Viktoria Plzen nuk do të luhet në “Fadil Vokrri”, raporton Sinjali Sporti.

Sinjali merr vesh nga burimet brenda klubit portokalli se sfida e tyre ndaj skuadrës çeke do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Shqipëri.

Kjo pasi stadiumi “Fadil Vokrri” ndodhet në gjendje të rënduar dhe nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e një ndeshje të nivelit të kësaj gare.

Ndeshja do të zhvillohet në orarin e njëjtë, të enjten nga ora 18:45, veçse me lokacion të ri.

Kujtojmë që edhe ndeshja e Superligës mes Prishtinës dhe Dritës e paraparë të zhvillohej në “Fadil Vokrri” të dielën, u zhvendos në Kampin Nacional në Hajvali, për shkak të gjendjes së rënduar të fushës.

Teksa kanë mbetur edhe dy ndeshje të fazës grupore deri në fund, Ballkani ka ende gjasa për kalim të grupeve, raporton Sinjali Sporti.

Suharekasit ndodhen në pozitën e tretë me 4 pikë të mbledhura, aq sa ka edhe Astana në pozitën e dytë, kurse Dinamo është e fundit me 3 pikë. Kundërshtari i ardhshëm i Ballkanit, Plzen tashmë është kualifikuar në fazën eliminuese, pasi mblodhi të gjitha pikët e plota pas katër ndeshjeve të para.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Çeki, Ballkani u mposht me rezultat minimal 1-0.

Në ndeshjen që tashmë do të zhvillohet në Shqipëri, Ballkani do të tentojë të ia shkaktojë Plzenit humbjen e parë këtë sezon në këtë fazë grupore, në mënyrë që t’i ketë të gjitha gjasat e mundshme për kualifikim deri në ndeshjen e fundit, ku do të jetë mysafir i skuadrës kroate, Dinamo Zagreb, klub ndaj të cilit Ballkani i mori tre pikët e plota pas fitores 2-0 në Prishtinë./GSS

Leave a Reply