Në tekstin e Rezolutës, ku thuhet mes tjerash se duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë tridhjetë vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin humbën jetën të paktën 8,372 veta, mijëra u zhvendosën dhe familjet dhe komunitetet u shkatërruan, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së:
Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të viti 1995 në Srebrenicë, që do të festohet çdo vit;
Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara edhe përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në përkujtim (të ngjarjeve) dhe me synim të parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të tyre si dhe pengimin e gjenocideve në të ardhmen;
Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;
Thekson rëndësinë e përmbylljes së procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë, që ende nuk janë përballur me drejtësinë;
I nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;
Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm të themelojë një program informues të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar përgatitjet për shënimin e përvjetorit të tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë këtë rezolutë në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, në funksion të respektimit të duhur të saj;
Fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për të respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë kremtime dhe veprimtari të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe arsimimin e duhur dhe veprimtaritë e ndërgjegjësimit të publikut.
Tani, pas Rezolutës, hipotekën e fajsisë për gjenocidin në Srebrenicë, në ndërgjegjën e tyre do të bartin jo vetëm “sponzoruesit dhe aksionarët” e gjenocidit të ushtruar (në mesin e tyre padyshim që do gjendet edhe Presidenti i sotëm serb me deklaratën e famshme; se “për një serb, do vriten 100 musliman”!?), por, edhe “populli hyjnor i Sveti Saves”. I cili me breza të tërë të rinjësh nuk arrijti të çlirohej nga elitat megalomane e extra nacionaliste në gjirin e vetë. Për hajr u koftë vetmia e “licencuar” nga Kisha dhe nga regjimet totalitare… Sepse, vetëm denacifikimi mund t’u shpetoj nga kjo marrëzi dhe hipokrizi shekullore…
Shkruan: Fadil MALOKU – Profesor i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online